TIRANE, 11 korrik 2013 – Sali Berisha, në prag të dorëzimit të pushtetit, po shpërblen për herë të fundit, beniaminët e tij në krye të institucioneve të “pavarura”. Dy muaj para largimit nga pushteti, Berisha ka shpërblyer për të disatën herë Presidentin Bujar Nishani, duke mobiluar vilën presidenciale numër katër. Pas disa fondesh të akorduar më parë me qëllim rikonstruksionin, ky i fundit është rreth 270 milionë lekë, duke e çuar kështu shumën totale që kryeministri Berisha ka akorduar deri tani për vilën nr 4 në 1270 milionë lekë. Por edhe Bujar Nishani ia ka shpërblyer, duke zbatuar të gjithë urdhrat e Berishës për emërimet nepotike dhe klanore në sistemin e drejtësisë, në Ushtri dhe diplomaci.

Nishani i hapi rrugën Sali Berishës edhe për kapjen e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke firmosur emrat e diktuar nga Berisha. Por, shpërblimi i Berishës duket se ka lidhje me kasaphanën e fundit që Nishani bëri në drejtësi. Ai katapultoi rreth 27 gjyqtarë të pushtetit në Gjykatën e Apelit dhe të Shkallës së Parë. “Vendim nr. 499, datë 1.7.2013 për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, për mobilimin e vilës nr. 4, Tiranë. Në mbështetje të nenit l00 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45 të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, t’i shtohet fondi prej 27 570 126 (njëzet e shtatë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e gjashtë)  lekësh, për mobilimin e plotë të vilës nr. 4, Tiranë. 2. Ky fond të përballohet nga fondi i kontigjencës, parashikuar në buxhetin e vitit 2013. 3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Fondi i parë

Pak ditë pasi u bë e ditur se qeveria ka shpenzuar mbi 500 milionë lekë për të rikonstruktuar një vilë qeveritare në Vlorë, dhe në ditën kur u mësua se ministri i Financave, Ridvan Bode, ka dhënë 100 milionë lekë për të rregulluar zyrën e tij, qeveria hap sërish qesen dhe akordon mbi 500 milionë lekë të vjetra për të rikonstruktuar vilën nr.4, ku do të qëndrojë presidenti Bujar Nishani. “Nёmbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 51 638 144 (pesëdhjetë e një milionë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e dyzet e katër) lekësh, për rikonstruksionin e plotë të Vilës nr.4, në Tiranë,” thuhej në vendimin e qeverisë.

Vila e Nishanit

Bujar Nishani ka zgjedhur të jetojë në vilën qeveritare që ndodhet në zonën e Pallatit të Brigadave, ndërkohë që aktualisht po jeton në një tjetër vilë qeveritare në Durrës. Nga të dhënat mësohet se vila ishte amortizuar, pasi Presidenti paraardhës nuk ka jetuar në të. Por rikonstruksioni i vilës së Nishanit bëhet në një kohë kur vendi është zhytur në një krizë të rëndë ekonomike.

Qeveria, marrëveshje doganore me Kroacinë

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një marrëveshje me Republikën e Kroacisë për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjelltë në çështjet doganore. Marrëveshje në fjalë amendon një pakt të mëparshëm të nënshkruar midis Shqipërisë dhe Kroacisë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi. Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për ndryshimet në marrëveshjen, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në çështjet doganore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
 
Këshilli i Ministrave, marrëveshje me KE

Këshilli i Ministrave, po gjatë ditës së djeshme, ka miratuar dje një marrëveshje me Komisionin Europian, për programin me shumë përfitues për Tempus, në kuadër të instrumentit të IPA. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian, për programin me shumë përfitues për Tempus, në kuadër të instrumentit të IPA: Asistenca e tranzicionit dhe mbështetje institucionale, për vitin 2013, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e qeverisë Berisha. Po gjatë ditës së djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh, konventash dhe koncesionesh.

Burimi: http://www.sot.com.al/politike/shtohen-shpenzimet-p%C3%ABr-vil%C3%ABn-e-nishanit-jepen-270-milion%C3%AB-lek%C3%AB-p%C3%ABr-mobilimin#sthash.uvxD7Lzq.dpuf