Situata e gripit në Durrës ka shënuar numër rekord fëmijësh në urgjencën pediatrike.

170 fëmijë në gjendje të rënduar i drejtohen çdo ditë për ndihmë mjekësore pediatrisë së qytetit bregdetar, ndërsa mesatarisht 10 fëmijë në ditë shtrohen si pasojë e komplikacioneve që paraqesin.

Virozat dhe gripi këtë vit shoqërohen kryesisht me temperaturë të lartë e bronke, duke sjellë ulje të imunitetit te vogëlushët, një pjesë e të cilëve kanë edhe komplikacione.

Të rriskuar janë moshat nga 0-1 vjeç deri në 12 vjeç. Prindërit thonë se temperatura ju ka zgjatur me ditë, ndërsa të tjerë sapo kanë vënë re problemet shëndetësore kanë kërkuar ndihmë te mjeku i familjes ose në urgjencën pediatrike. 

Për pediatrit situata është mjaft problematike në Pediatrinë e Durrësit si pasojë e fluksit të shtuar. Rasim Lusha, mjek pediatër thotë se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për të mos kaluar fëmijët në komplikacione shëndetësore, për aq kohë sa shtimi i gripit nuk është analizuar nga ISHP, për t’u njohur me virusin gripal që qarkullon në popullatë.

Një tjetër këshillë për prindërit është që para se të shkojnë në urgjencë, të kërkojnë ndihmë te mjeku i familjes, për shkak të fluksit të lartë në urgjencë.

K.H.