Masa edhe më strikte vazhdojnë të merren me kalimin e ditëve për të gjithë qytetarët në Durrës dhe në mbarë vendin që blejnë në tregun e fruta-perimeve, në kuadër të zbatimit të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në tregun e madh të fruta-perimeve në Durrës, asnjë blerës nuk lejohet të futet pa qenë i pajisur me maskë e doreza, teksa tregtarët që prej javës së shkuar janë në numër të reduktuar, sipas numrave rendorë, një ditë banakët me numër tek e ditën tjetër banakët me numër çift.

Në këtë mënyrë do të respektohet rigorozisht distanca e kërkuar mes tregtarëve, ndërsa e njëjta gjë kërkohet edhe nga qytetarët durrsakë, që i drejtohen tregut agro-ushqimor për të bërë blerjet e nevojshme, teksa të gjithë kontrollohen një për një nga efektivët e Policisë Bashkiake.

Pas paralajmërimit të shtrëngimit të masave ndaj të gjithë shkelësve në tregje, sidomos pas situatës kaotike të krijuar te tregu i Kombinatit, në Durrës vërehet panoramë tjetër, më e qetë dhe më e rregullt.

Sot vihet re numër i shtuar i efektivëve që monitorojnë gjatë gjithë kohës në treg, nga momenti kur hapet në mëngjes në orën 05:00, deri në mbyllje të tij, për të garantuar distancën mes blerësve e tregtarëve dhe respektimin e të gjitha masave.

Shtrëngimi i masave dhe zbatimi i tyre monitorohen në terren çdo ditë edhe nga vetë drejtori i Policisë Bashkiake të Durrësit, Vasip Çopa.

Çopa apelon të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sakaq, për tregtarët paralajmërohen sanksione më të rrepta ligjore, në rastin e thyerjes së rregullave, deri në heqjen e të drejtës për të tregtuar dhe gjobitjes nga ana tjetër.

Sa i përket situatës së tregjeve të reja që janë zhvendosur në zona të tjera të qytetit, këtë të hënë te Muzeu i Dëshmorëve kemi numër më të madh tregtarësh, po ashtu edhe pranë stadiumit përballë gjimnazit “Leonik Tomeu”; ndërsa te shkolla “Jan Kukuzeli” nuk ka asnjë tregtar.

Po ashtu, për të parandaluar grumbullimet e njerëzve në tregjet e fruta-perimeve, dyqane të tjera fruta-perimesh apo supermarkete, kemi numër të shtuar forcash policie që bëjnë monitorimin e situatës.

S.L.