Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se qeveria po e përdor naftën si një “mjet” tiranie kundër qytetarëve. Ai përmendi disa shkaqe që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës, njëri prej të cilëve sipas tij ka të bëjë me kontrabandën.

“Nafta është shndërruar në një instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve, në një instrument të çmimeve stratosferike, të pakësimit të racionit ushqimor në tavolina, të çmimeve stratosferike, të largimit të tyre nga Shqipëria. Çmimi i naftës në vendin ku gjenden fushat më të mëdha në Evropë naftëmbajtëse në tokë, si Patos Marinza me 6 miliardë fuçi, çmimi i naftës në vendin me një seri portesh për importin, në Shqipëri ky çmim tejkalon me 60% çmimin e naftës në RMV dhe Kosovë. Shkaqet e këtij çmimi të lartë para së gjithash lidhen me ngarkesën absurde të pamëshirë fiskale mbi litrën e naftës që Rama ka vendosur. Disa janë faktorët kryesorë të këtij çmimi, dy prej tyre që përcaktojnë në masën 90 për qind të çmimit të lartë janë qeveritarët. Së pari ngarkesa fiskale në vendin më varfërinë më të madhe në Evropë, me rrogat më të ulëta është më e larta në Evropë dhe ndoshta në botë. Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës në Shqipëri është mbi 60-65% ndërkohë që në vendet më të zhvilluara të planetit, kjo ngarkesë është 40-45%. Pra gjobë e tmerrshme që rëndon mbi shqiptarët. Së dyti, kontrabanda e naftës. Asnjë litër nuk hyn në Shqipëri me bote. 350 mijë ton naftë kontrabandë hyn në portet që kontrollon qeveria. Këto janë të barabarta me të ardhura aktuale 410 milionë euro, që shkojnë në familjen e kryekontrollorit të kontrabandës që quhet Edi Rama. Shitja e kësaj nafte kontrabandë tregon edhe njëherë bashkëpunimin e Ramës me kompanitë e naftës në çmimet stratosferike. Faktori i tretë janë rezervuarët e naftës, apo depozitat, të cilat në kuptimin e rezervës shtetërore apo private, vendimet e mëparshme të qeverisë i kanë shpallur ato private, por magazinimi ka çmimin e tij.”, tha Berisha.