TIRANE- Është shtyrë për të 21-ën herë dje gjyqi ndërmjet ministrit Genc Ruli dhe deputetit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i akuzuar për shpifje. 

Ashtu si dhe në shumicën dërrmuese të seancave të shkuara, ka qenë Sajmir Tahiri, i cili u bë shkak për shtyrjen e seancës së të martës. Një kërkesë e firmosur nga deputeti socialist, që u paraqit nga avokati i tij, Plarent Ndreca, në seancën gjyqësore të datës 18 dhjetor 2012 detyroi gjyqtarin Ervin Pollozhani të shtyjë për në janar seancën e radhës. Palët e përfshira në këtë gjyq, përkatësisht avokatët e të paditurit, Z. Saimir Tahiri dhe paditësit. Z. Genc Ruli, qëndruan vetëm pak minuta në sallën e gjyqit, aq sa mjaftoi për të lexuar kërkesën dhe për të gjetur dakordësinë për datën e seancës së radhës. 

Ajo çka e habiti gjyqtarin dhe të pranishmit në sallën e gjyqit ishte arsyeja e shtyrjes e prezantuar në kërkesë. Sipas shkresës që mban firmën e Sajmir Tahirit, detyrimi për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve bën që ai të mungojë në seancën gjyqësore.