Gjykata administrative nisi shqyrtimin në themel të aktpadisë për “shfuqizimin e projektit ‘Veliera’” të bërë nga shoqëria civile disa muaj më parë.
Për gati tri orë me tre seanca ndërprerje për këshillim midis treshes së gjyqtarëve të cilët kërkuan këshillim para vendimit, seanca është shtyrë për në datën 4 dhjetor.
Në aktpadinë e shoqërisë civile, të hartuar nga Mirela Jorgo avokate dhe Sazan Guri ambientalist, kërkohet shfuqizimi i plotë i projektit “Veliera” me pretendimin se është dëmtuar zona arkeologjike A, gjatë gërmimeve të kryera nga firma zbatuse, aty ku edhe dolën strukturat e shekullit të 18-të. Kjo gjykatë në shkurt të këktij viti ka bërë edhe pezullimin e projektit në zonën arkeologjke A. Përfaqësuesi ligjor i bashkisë së Durrësit kërkoi kohë nga gjykata për të plotësuar me riaktekspertimi nga arkeologët për gërmimet e zbuluara dhe punimet e kryera në shesh, kërkesë e cila u mor parasysh nga gjykata.
Në fund të seancës gjyqësore, për mediat përfaqësuesit e shoqërisë civile Mirela Jorgo dhe Sazan Guri, deklaruan se gjykata administrative duhet të kishte vendosur sot shfuqizimin e projektit. Ata thanë se vonesat janë në favor të të paditurit, Bashkisë së Durrësit. Ata thanë se po zvarritet qëllimisht vendimmarrja për të parë edhe vendimet e gjykatës së Apelit, ku ka një aktpadi penale, për përgjegjësit e dëmit të shkaktuar ndaj zonës Arkeologjike.
Investimi më i rëndësishëm në Durrës me vlerë 6 milionë dollarë qëndron i bllokuar prej muajit shkurt në Durrës. Pak ditë më parë Këshilli Bashkiak në unanimitet miratoi fondin prej rreth 2 milionë lekësh pagesë shtesë për arkeologët që mbikëqyrën punimet në projektin “Veliera”.
Armand Teliti i PD-së tha se fondin do e miratojnë duke kërkuar nga kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako edhe përgjigje se çfarë do të bëhet me fatin e sheshit.
“E kemi paraqitur projektin e ndryshuar të sheshit që i hap rrugë punimeve të tij, por ka mbetur i bllokuar nga gjykata e cila ka dhënë masë sigurie në gjykatë pezullimi etj, ndërsa prokuroia e ka ende në hetim. Çështja nuk është gjykuar në themel e për aq kohë sa është në gjykatë nuk dihet se çfarë do të bëhet me “Velierën”, tha Dako.
Më 29 shtator Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën e bashkisë për të rinisur punimet e “Velierës”, investim i cili ka mbetur peng prej 16 shkurit të këtij viti.
Bashkia nëpërmjet një shkrese zyrtare kërkoi pezullimin e vendimit të muajit shkurt dhe heqjen e sekuestros preventive nga zona arkeologjike. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se një pjesë e këmbës së “Velierës” bie në zonën arkeologjike A ku kanë dalë rrënojat e shek 18-të.
Në hyrje të portit detar, pranë Torrës, pozicioni i këtij sheshi është në vend strategjik për turizmin e Durrësit.
K.H.





