Është mbyllur mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, ndërsa e radhës është caktuar për ditën e enjte në orën 11:00. 

Edhe në këtë mbledhje të së martës nuk kanë munguar debatet mes palëve politike, ndërsa PS ka propozuar një draft-plan të hetimit të ekspertëve të propozuar nga socialistët, teksa sot mazhoranca rrëzoi miratimin e kërkesës për informacion. 

Në këtë propozim kërkohet që hetimet të shtrihen nga viti 2009, teksa PS thotë se duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë si dhe të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009. 

Gjithashtu socialistët kërkuan që hetimi të shtrihet edhe gjatë periudhës së qeverisë Berisha. 

“Hetimi do të shtrihet përgjatë periudhës kohore 2009 – 2014 që konsiderohet si periudha para fillimit të procedurës koncesionare, përgjatë periudhës kohore 2014 – 2015 që do të konsiderohet si periudha e zhvillimit dhe finalizimit të procedurës së dhënies me koncesion, dhe përgjatë periudhës kohore 2015 – 2023 që do të konsiderohet si periudha e zbatimit të kontratës koncesionare”, thuhet në draft. 

Më tej nënvizohet se duhet të zhvillohen seanca dëgjimore me dëshmitarë të gjithë Ministrat e Shëndetësisë që nga 1 dhjetor i vitit 2006, kohë kur vendin e drejtonte kabineti Berisha 1 dhe deri më sot.