Shtyhet për një kohë të pacaktuar mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe e Kosovës e planifikuar për më 24 prill në qytetin e Vlorës.

Ky fakt është konfirmuar për “Kohën Ditore” nga burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Të njëjtat burime theksojnë se ende nuk ka një datë tjetër se kur do të mbahet mbledhja, ndërkohë që shkak i kësaj shtyrjeje kanë qenë moszbatimi i disa marrëveshjeve që janë firmosur, duke nisur që nga mbledhja e parë e mbajtur në janar të vitit 2014 në Prizren, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu që në mbledhjen e katërt, që do të mbahet në Vlorë do të shkohet me zbatim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara një vit më parë në Prishtinë, por edhe ato të pas janarit të vitit 2014, ku në mbledhjen e parë të përbashkët në Prizren është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë, pasuar me atë të marsit të vitit 2015 në Tiranë dhe të qershorit të vitit 2016 në Prishtinë.