Taksa e pronës do të mbetet e pandryshuar edhe për dy vitet e ardhshme. Kjo, pasi Ministria e Financave po rishikon ligjin, i cili e rriste taksen nga viti 2026.
Zbatimi i taksës së re për pasuritë e paluajtshme do të nisë të zbatohet në vitin 2028. Ministria e Financave po harton një projektligj i ri, i cili në afat rrëzon propozimin që taksimi të nisë vitin e ardhshëm.
Shtyrja vjen pas përgatitjeve për të ndërtuar një sistem të ri taksimi, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas propozimeve të vitit 2023, niveli i taksës që do aplikohej në vitin 2026 ishte 0,1% deri 0,2% për ndërtesat rezidenciale nga 0,05% që është sot dhe 0,15% deri ne 0,25% për ndërtesat tregtare dhe industriale.
Mësohet se drafti i ri që po hartohet, nuk parashikohet të ndryshojë koeficentët e taksës së ndërtesës, për truallin dhe tokën bujqësore të propozuara në 2023. Drafti që po rishikohet synonte kalimin nga një sistem taksimi i bazuar në vlerë dhe sipërfaqet për ndërtesat, në një sistem taksimi që bashkon ndërtesat dhe tokën, duke e bazuar në vlerën e tregut.
Me shembujt e publikuar nga Ministria e Financave, detyrimet për një familje rriteshin 20 deri në 50%, ndërsa për bizneset deri ne 30%.





