Parlamenti ka shtyrë me tre muaj punën e komisionit hetimor ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u mor me 72 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim ndërsa opozita nuk ishte e pranishme.

Prej fillimit të këtij sesioni parlamentar opozita e bashkuar ka bojkotuar seancat parlamentare duke mbajtur mbledhje në qytete si Shkodra dhe Elbasani. 

Objekti i punës së tij është verifikimi i pasojave të vendimit të parlamentit për të mos lejuar arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm të akuzuar për përfshirjen në trafikun e drogës.

Një tjetër objekt është dhe verifikimi i rolit të Ministrisë së Drejtësisë në ekstradimin në Itali të Nazer Seitit, i akuzuar dhe si financier i grupit 'Habilaj' të arrestuar në Itali.

Opozita akuzon se me këto veprime, si Kuvendi ashtu edhe Ministria kanë ndikuar në procesin hetimor.