Shkarkimi i Arben Malajt nga posti në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë shtyhet për në vjeshtë. Kjo çështje ishte parashikuar në rendin e ditës së Kuvendit, por u hoq vetëm pak para nisjes së seancës.

Siç njoftoi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, procedurat për shkarkimin e Malajt do duhet të nisin përmes Këshillit të Ministrave që më pas të vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit.

“Lidhur me këtë çështje njoftoj nismëtarët dhe Kuvendin se kërkesa nga ana ime i është përcjellë Këshillit të Ministrave për kompetencë, pasi në zbatim të nenit 47/1 të ligjit për BSH Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis vihen në lëvizje procedurat e tjera sipas rregullores së Kuvendit, komisionet dhe mandej seanca e Kuvendit”, u shpreh Ruci.

Partia Socialiste kërkon shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë me argumentin se ka shkelur kodin e etikës në daljen e tij publike.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur 28 firma, me anë të të cilave kërkojnë që Arben Malaj të lirohet nga posti i tij.