TIRANE– Gjykata e Krimeve të Rënda shtyhu sërish seancën gjyqësore ndaj shtetasit Ilir Xhakja, i akuzuar si autor i vrasjes së Shefit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, vitin e kaluar në afërsi të Durrësit.
Shkak për këtë shtyrje është bërë kërkesa e avokatit për përjashtimin nga trupa gjyqësore të dy prej gjyqtarëve të çështjes, me pretendimin se kanë shqyrtuar një tjetër çështje në ngarkim të Ilir Xhakjas. Mësohet se Xhakja nuk ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit dhe në këto kushte, gjyqtari i çështjes vendosi që seanca e radhës të mbahet sot.
Kryekomisar Adem Tahiraj, baba i tre fëmijëve, u vra në 13 shtator 2012 gjatë një aksion policor në Katund Sukth.
Ndërsa kishte ndaluar një të ri për verifikim dokumentesh, ai është qëlluar për vdekje nga Ilir Xhakja. Autori u arrestua pas disa orë kërkimesh dhe pranoi krimin.
Pas ngjarjes së rëndë të Shijakut, u rihap çështja për vrasjen e Qerim Malokut, vrasje kjo e ndodhur në vitin 1998 në Katund Sukth dhe dolën në pah shkeljet e rënda procedurale të gjyqtarit Neritan Tabaku.
Gjyqtari u bë objekt hetimi nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila vendosi shkarkimin e tij nga detyra.





