Shtyhet seanca gjyqesore e parashikuar per tu mbajtur sot ndaj ish ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Shkak është bërë fakti që avokati i Tahirit Maksim  Haxhiaj ka pasur një seancë gjyqësore paralel në gjykatan e Apelit në Durrës. Ende nuk dihet se kur do të jetë seanca e radhës ndaj ish zyrtarit të lartë.

Kujtojmë se Tahiri përmes avokatëve të tij mbrojtës, i kërkon gjykatës njohjen e dënimit të dhënë më datë 19 shator 2019 nga gjykata e shkallës së parë.

Në atë kohë ai u dënua për shpërdorim detyre me 3 vite 4 muaj heqje lirie, por gjykata e pezulloi dënimin dhe e konvertoi në shërbim prove. Ish-ministri pretendon se ai e ka zbatuar atë dënim duke mbajtur çdo ditë kontakte me shërbimin e provës, deri në dhënien e vendimit nga Apeli më 4 shkurt të vitit të shkuar.

Kjo gjykatë rrëzoi dënimin me shërbim prove duke e dërguar në burg ish-ministrin.

Seanca e parë në gjykatën e Elbasanit u mbajt më 10 tetor.

Tahiri do t’i kërkojë asaj njohjen e dënimit me 3 vite shërbim prove dhe nëse kërkesa pranohet, ai do të përfitojë ulje të dënimit me burg për të paktën 1 vit e 6 muaj. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari Elis Dine.