Vlorë, 15 nëntor 2013 – Shtyhet për në datën 5 dhjetor seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohet nga prokuroria për falsifikim të dokumenteve të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, me qëllim favorizimin e dy ndërtimeve pa leje. 

 Shpëtim Gjika ka mbërritur sot në Gjykatë, i shoqëruar nga avokatët e tij, ndërsa dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara gjykatës për të përkrahur kryebashkiakun. Të gjithë të pandehurit e tjerë për këtë çështje u përfaqësuan në seancë vetëm nga avokatët mbrojtës, ndërsa njeri prej tyre nuk ishte i pranishëm, çka detyroi gjyqtaren e çështjes Anastasi Shehu, të shtyjë për në 5 dhjetor seancën gjyqësore. 

Hetimi ndaj Shpëtim Gjikës ka nisur që në muajin shkurt të këtij viti. Prokuroria e Vlorës akuzon Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë.,