Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për në 23 maj seancën e radhës për Emiljano Shullazin, pasi avokatët kërkuan të njihen me një provë të re të Prokurorisë. Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi që aktet t’i vihen në dispozicion avokatit të Blerim Shullazit.

Emiljano Shullazi ka dalë sot para togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku nisi dhe seanca e parë gjyqësore ndaj tij, ndërsa akuzohet si kreu i një grupi kriminal për gjobëvënie. Pas shumë mungesash në sallat e gjyqit edhe kur ishin seancat ballafaquese me biznesmenin Ylvi Beqaj, me pretendimin se ishte i sëmurë, sot Shullazi është paraqitur në seancë, ndërsa është shfaqur i qetë në kafazin prej xhami.

Akuza për gjobëvënie, pas shumë mungesash Shullazi shfaqet në gjykatë
“BalkanWeb” ka arritur të sigurojë dhe një foto, ku shihet Emiljano Shullazi. Pavarësisht kësaj, siç ndodh rrallë herë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seanca e orës 11:10 u ndërpre, pasi nuk u formua trupi gjykues, për të rifilluar në orën 15:00 të pasdites.

Të pranishëm në seancë ishin dhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, të cilët akuzohen si bashkëpunëtor të Shullazit.

Shullazi dhe këta persona akuzohen për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në dëm të tre biznesmenëve, “Shkatërrim të pronës me eksploziv” në dy raste, dhe “kanosjes për shkak të detyrës” të profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.