Gjyqi në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri është shtyrë për më datë 19 shtator. Tahiri akuzohet tashmë për vepra të rënda penale, që kanë të bëjnë me trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Përmes një deklarate për mediat, Tahiri edhe njëherë ka hedhur poshtë akuzat ndërsa tha se janë pa prova dhe të stisura nga Prokuroria. 

"Unë akuzohem që jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për trafik droge bashkë me disa policë, që nuk kanë qenë as me detyrë në Vlorë gjatë kohës që është bërë trafikimi i lëndës narkotike. Ky procedim penal është nisur nga policë në varësi timen. Ata denoncuan Habilajt. Ato që thotë Prokuroria shqiptare janë gënjeshtra dhe antimafia italiane i ka hedhur poshtë. Ju e dëgjuat dhe unë jo pa shkak kam ndenjur në heshtje këto 2 vjet. Kam dashur të respektoj drejtësinë deri në fund. Jo pa shkak kam dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit, që të përballem me drejtësinë si qytetar. Kam refuzuar që të përgjigjem ndaj akuzave të Prokurorisë, duke mbajtur gjithë baltën në kurriz, duke shpresuar se e vërteta do dalë në dritë", deklaroi Tahiri.