Shtyhet sërish nisja e procesit mësimor tek shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”. Në muajin janar, duke ju referuar burimeve zyrtare të bashkisë, DurrësLajm bëri të ditur se data 4 shkurt do të shënonte ditën e nisjes së mësimit në shkollën e rikonstruktuar.
Të njëjtat burime konfirmuan sot se shkolla nuk është ende gati, pasi gjatë javës në vijim do të realizohet pastrimi i të gjitha ambienteve si dhe transportimi i të gjithë bazës didaktiko-mësimore (tavolina, karrike, pajisje të laboratorëve), do t’i jepet dora e fundit palestrës së shkollës etj.
Sipas bashkisë, ka qenë një kërkesë e vetë drejtorisë së shkollës për shtyrjen me disa ditë të nisjes së mësimit, në mënyrë që ambientet e reja të jenë në gjendjen e tyre optimale në momentin kur shkolla do të hapë dyert për nxënësit e saj. Të mësuar me pritjen gati 2-vjeçare, nxënësit, stafi pedagogjik dhe prindërit do të duhet të presin akoma.
Siç duket edhe në pamjet filmike të marra paraditen e sotme nga operatori i DurrësLajm, në ambientet e brendshme të shkollës ka ende punëtorë që po i japin dorën e fundit ndërhyrjeve që po kryhen në godinën që u ndërtua nga e para.
Që nga marsi i vitit 2017, nxënësit e “Marie Kaçulinit” detyroheshin të zhvillonin procesin mësimor pasditeve, në dy shkolla të tjera të qytetit, tek “Leonik Tomeo” dhe “Bernardina Qeraxhia”.
Shkolla “Marie Kaçulini” u shemb tërësisht për të ndërtuar një shkollë të re. Bashkia e Durrësit akordoi 860 milion lekë për ndërtimin e saj. Nga 1050 metra katror që ishte godina e mëparshme e shkollës, është planifikuar që sipërfaqja e çdo kati të jetë 1550 metra katror.
Në godinë është parashikuar instalimi i sistemit qendror me ngrohje, ndërtimi i një salle multifunksionale, i palestrës, laboratorëve të ndryshëm etj.
M.B.





