Rreth 2 javë më parë, “DurrësLajm” paralajmëroi se Muzeu Arkeologjik Kombëtar rrezikon të mos hapet edhe këtë sezon turistik, pavarësisht se në tabelën e punimeve fundi i muajit prill rezulton si afati final i përfundimit të restaurimit të tij.
Mos hapja e muzeut edhe për disa muaj tashmë është fakt zyrtar, sepse një gjë e tillë u pranua gjatë vizitës, që kryeministri Edi Rama zhvilloi në kantierin e muzeut një ditë më parë.
Muzeu Arkeologjik, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, nisi restaurimin në nëntor të vitit 2022 dhe përfundimi i punimeve është shtyrë disa herë, pasi fillimisht u deklarua se punimet do të zgjasnin vetëm një vit.
Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, vonesat në përfundimin e punimeve të restaurimit janë shkaktuar prej strukturës së dëmtuar të godinës, së cilës po i riforcohen të gjitha kolonat.
Pas përfundimit të restaurimit, që po kryhet në kuadër të programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS, do të duhen disa muaj të tjerë për të sistemuar në muze mbi 2000 artefakte të periudhave të ndryshme historike.
Duke parë vonesat e njëpasnjëshme, që kanë shoqëruar punimet në muze, edhe afati shtator 2025 rrezikon të merret me rezerva.
Autoritetet kulturore synojnë që pas investimit që kushton rreth 348 milionë lekë, në momentin e rihapjes turistët të mund të vizitojnë të 2 katet e muzeut si dhe oborrin e jashtëm.
Mbyllja 3-vjeçare e Muzeut Arkeologjik Kombëtar u ka hequr turistëve të huaj, por edhe vendas mundësinë që të njihen nga afër me këtë aset mjaft të rëndësishëm të qytetit bregdetar.
M.B.