TIRANE, 14 shkurt 2013– Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë sërish sot seancën gjyqësore ndaj Ilir Xhakjas, i akuzuar si autor i vrasjes së Shefit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, vitin e kaluar në afërsi të Durrësit. Ne seancën e kaluar, avokati mbrojtës i Xhakjas kërkoi gjykim të shkurtuar, gjë që u kundërshtua nga prokurori i çështjes, Eugen Beci.
Përfaqësuesi i Prokurorisë i kërkoi trupit gjykues rrëzimin e kërkesë së të pandehurit, duke paraqitur si shkak edhe pamundësinë e gjetjes gjatë hetimeve të nipit të të pandehurit. I pandehuri Xhakja nuk ishte i pranishëm në seancën e një dite më parë te Krimet e Rënda. Kërkesën për gjykim të shkurtuar ai e parashtroi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Andi Duraj.
“Kërkoj që gjykimi të zhvillohet në formën e gjykimit të shkurtuar. Çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet”,- u shpreh avokati, duke sqaruar se ky ishte edhe vullneti i klientit të tij Ilir Xhakja.
Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 shtator, në fshatin Katund Sukth nga Ilir Xhakja.





