TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu sërish seancën gjyqësore ndaj shtetasit Ilir Xhakja, i akuzuar si autor i vrasjes së Shefit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, vitin e kaluar në afërsi të Durrësit.
Shkak për këtë është bërë kërkesa e palës mbojtëse, që kërkoi përjashtimin e dy gjyqtarëve Liljana Baku dhe Nertila Kosova me pretendimin se kanë shqyrtuar një tjetër çështje në ngarkim të Ilir Xhakjas dhe kjo mund të ndikojë vendimin e tyre.
Seanca e radhës në ngarkim të Ilir Xhakes do mbahet më 12 shkurt. Xhakja akuzohet se është autori i vrasjes me armë zjarri të kryekomisarit Adem Tahiraj, në 13 shtator të vitit të kaluar.
VRASJA E KRYEKOMISARIT
Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua rreth orës 18.00 të 13 shtatorit, në fshatin Katund Sukth. Sipas prokurorisë, i ndihmuar dhe nga një inspektor policie, ishte duke ushtruar kontroll në zonë për armët pa leje dhe personat me precedentë kriminale. Gjatë aksionit, është ndaluar një automjet me të cilin udhëtonte Ledjan Krasnaj, 17 vjeç. Nga kontrolli ka rezultuar se makina kishte mangësi në dokumentacion dhe Tahiraj ka urdhëruar shoqërimin në komisariat, duke i kërkuar shoferit të tij, Fatmir Hoxha të ngjitej në makinë me të riun.
Në këto momente, ka mbërritur Ilir Xhakja, i cilësuar si "i forti" i Shijakut, i cili, pasi është konfliktuar me shoferin Hoxha, nuk ka nguruar të qëllojë me pesë plumba pistolete kryekomisarin Tahiraj. Babai i tre fëmijëve gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa mbeti e plagosur dhe një 67-vjeçare. Xhakja u arrestua pak orë më vonë, në fshatin Shën Vlash.





