3 shkurt 2015 – Komisioni Etikës sërish nuk mori një vendim lidhur me ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë Superiore pasi për shkak të dosjeve voluminoze mbi ndeshjen Teuta-Flamurtari, shtyu gjithcka për në mbledhjen e datës 4 shkurt. I mbledhur për të marrë në pyetje dëshmitarë mbi sfidën e Vlorës, por dhe takimet Vllaznia-Kukësi dhe Laci – Partizani, Komisioni Etikës dëgjoi dëshimtë e gjyqtarit të sfidës Kridens Meta, presidentit të Flamurtarit Sinan Idrizi dhe drejtorit teknik të klubit vlonjat Ardi Behari, të cilët u pyetën dhe dhanë shpjegimet e tyre në lidhje me minutat e fundit të takimit me Teutën, në javën e 19-të të Superiores.
Pas atij takimi ishte klubi i Flamurtarit që denoncoi sjelljen e skuadrës së Teutës në fushë ashtu si dhe tifozeria e saj, me presidentin e kuqezinjve që madje bëri thirrje se do të tërhiqej nga kampionati në rast se nuk niste një hetim nga FSHF por dhe Qeveria Shqiptare. Pasi dëgjoi dëshmitë e tyre Komisioni Etikës vendsoi të mblidhet përsëri të mërkurën e katër shkurtit në orën 14:00 për shkak se materialet që do të shqyrtohen janë mjaft voluminoze dhe kërkojnë më tepër kohë në dispozicion. Ditën e mërkurë, Etika do të thërrasë për të dëshmi dhe persona të tjerë për takimet Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani.





