4 gusht 2015 – Vendimi i komisionit të disiplinës në UEFA lidhur me fatin e ndeshjes së ndërprerë Kukësi-Legia e Varshavës i njoftuar për t’u dhënë dje, pritet të jepet paraditen e së martës.
Mediat polake shprehen të indinjuara duke ngritur pikëpyetje të shumta rreth shtyrjes me 24 orë të këtij vendimi, por Komisioni i Disiplinës në UEFA ka njoftuar se shqyrtimi i gjithë dokumentacionit të mbërritur, kërkonte më tepër kohë. Kukësi nëpërmjet një raporti të veçantë shoqëruar me pamje televizive, ka argumentuar kundërshtimin ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari kryesor dhe delegati i UEFA-s për ndërprerjen e ndeshjes në minutën e 52-të pas goditjes që mori në kokë lojtari i Legias, Ondrej Duda.
Kukësi si klubi pritës rrezikon minimalisht të humbasë ndeshjen në tavolinë 0 – 3 si dhe ndëshkimin me një gjobë të majme. Në rastin më të keq, për shkak dhe të precedentëve të mëparshëm negativë të Kukësit në Europë i gjobitur tri herë, Kukësi mund të marrë dhe një dënim ekstrem duke u përjashtuar nga kompeticionet europiane për një periudhë nga 1- 3 vjet, por nëse arrihet deri në këtë vendim ekstrem, gjasat janë që Kukësi të përjashtohet vetëm nga edicioni aktual duke u eliminuar direkt pa e zhvilluar ndeshjen e kthimit në Varshavë, e programuar të luhej të enjten e 6 gushtit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/