Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.
Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për RTK-në avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiç.
Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.
Kështu epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik.





