Shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Durrës miratimi i pikës 13 të rendit të ditës që lidhej me subvencionimin e bonusit të qirasë për familjet që preken nga shpronësimet e projektit TID.
Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Rolant Xhelilaj deklaroi se projektvendimi në fjalë do të votohet në mbledhjen e radhës pas sqarimeve të mëtejshme për projektin, që prek zonën historike të Durrësit.
Nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi dha disa detaje lidhur me propozimin e bërë nga bashkia për bonusin e qirasë për këto familje.
Në përfundim të mbledhjes përfaqësuesja e banorëve Entela Koja, si dhe disa banore që shpronësohen deklaruan se kjo është një fitore e vogël, por protestat nuk do të ndalen dhe nuk do të dalin nga shtëpitë e tyre.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës u karakterizua me debate të forta mes këshilltarëve të opozitës dhe maxhorancës, për shkak se këta të fundit fillimisht nuk ishin dakort që përfaqesuesja e banorëve Entela Koja të futej që në fillim të mbledhjes.
E ndërsa këshilltarët e opozitës braktisën mbledhjen. situata ishte shumë më e acaruar, pasi përfaqësuesit e 74 familjeve penguan futjen në bashki të shumë prej këshilltarëve të PS, si dhe kreut të IMT-së Ilir Ngresi. Në momentet, kur banorët kërkuar të futen në bashki pati konfrontime mes qytetarëve dhe policisë, dhe disa prej protestuesve u shoqëruan në polici.
Sipas policisë, në ambientet e komisariatit janë shoqëruar 4 persona.
M.B.





