Një shtyllë ndriçimi publik në lagjen 18 të Durrësit është kthyer në një rrezik serioz për banorët e zonës. Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e “Durrëslajm” të një qytetari, shtylla ndodhet shumë pranë pallateve dhe është e izoluar në mënyrë të pasigurt, duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm.

Shqetësimi është edhe më i madh pasi pak muaj më parë, një shtyllë ndriçimi në të njëjtën zonë i mori jetën një 38-vjeçari, duke ngritur alarmin se ngjarje të tilla mund të përsëriten.

Sipas denoncueses, shtylla aktuale është e izoluar me skoc dhe sot ka shfaqur flakë. Banorët, të frikësuar, kanë vendosur barriera improvizuese dhe paralajmërime të shkruara për të shmangur afrimin e qytetarëve.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Sqarim:

Pas adresimit të shqetësimit nga DurrësLajm lidhur me shtyllën e ndriçimit në lagjen 18 të qytetit, janë kryer verifikimet përkatëse nga strukturat përgjegjëse. Nga kontrolli teknik i kryer ka rezultuar se shtylla në fjalë nuk paraqet probleme dhe nuk përbën rrezik për banorët e zonës.

DurrësLajm do të vijojë të ndjekë dhe adresojë çdo shqetësim të qytetarëve.