Cristiano Ronaldo ka tërhequr vëmendjen kryesore të shtypit botëror pas gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampionëve. Portuguezi i Real Madridit shënoi një “hat-trick” kundër Atletico Madridit, duke përvijuar rrugën e finales së Cardiff-it në horizont. Gazetarët e kanë vlerësuar lart ndeshjen e “Los Blancos”, së drejtuar nga Zinedine Zidane, por veçanërisht yllin portugez me tre golat e tij.
Globo: “Ronaldo është stereotipi i lojtarit modern: shënon me të djathtën, me të majtën, me kokë; është fizikisht i fortë dhe i shpejtë. Në këtë rast ai do ta fitojë “Topin e Artë” përsëri, pasi e bëri të vetin edhe vitin e kaluar. Pavarësisht momentit të madh të Neymar dhe Messit, ai do të ketë një sezon të madh, ndaj nuk do të mungojnë edhe shpërblimet nga FIFA e të tjerët. Real Madridi bëri një hap gjigand drejt një tjetër finaleje të Ligës së Kampionëve. Neymar, duke qarë në eliminimin kundër Juventusit, bëri të qartë se u largua nga lufta për “Topin e Artë”. Messi është në lojë, vazhdon të shkëlqejë si Ronaldo. Portugezi është një fenomen dhe makinë golash”.
La Gazzetta dello Sport: “Cristiano Ronaldo është tani CR9, është sulmuesi më i mirë në botë. Nëse futbolli është një sport i numrave dhe statistikave, ky është përcaktimi i duhur për të, por kjo lojë ka edhe emocione. Portuguezi, me një “hat-trick”, u ngjit në kuotën e 399 golave në 389 ndeshje me fanellën e Real Madridit. Në Champions, Ronaldo ka shënuar 104 gola në 142 ndeshje, 35 prej të cilëve në çerekfinale e tutje.”
L’Equipe: “Ronaldo, njeriu-gol. Ai është më shumë se kurrë i preferuar për të pasur sukses me veten e tij për “Topin e Artë”. Pas ndeshjes së tij në çerekfinale kundër Bayern Munich (realizoi pesë gola në dy ndeshje), portugezi vazhdon këtë rrugë edhe në gjysmëfinale, duke shënuar përsëri një tregolësh, çka e ngjit atë në kuotën e 104 golave në Champions. Mbresëlënës”.
The Sun: “Cristiano Ronaldo arrin një “hat-trick” të ri për t’i dërguar të bardhët në prag të finales së Ligës së Kampionëve. Superylli portugez shënoi një herë në pjesën e parë dhe dy herë në të dytën, duke e “palosur” Atletico Madridin në “Bernabeu”.
A Bola: “Përsëri, Cristiano Ronaldo ishte shumë vendimtar dhe e udhëhoqi Real Madridin drejt fitores së pastër në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Pas 10 minutash lojë, CR7 shënoi me kokë pas një krosimi nga e djathta e Casemiro. Ky ishte goli i 19-të i karrierës së tij ndaj rivalit të kryeqytetit spanjoll. Pas 74 minutash, portugezi mposhti për herë të dytë Oblak, ndërsa pesë minuta nga fundi, Ronaldo vulosi një tjetër natë legjendare në karrierën e tij dhe përfundoi me “hat trick” personal.”
Bild: “Për herë të katërt radhazi, ka një derbi Madridi në Ligën e Kampionëve. Tri herë më parë kishte fituar Real Madridi, çka e bëri sërish, me rezultatin 3-0, falë Cristiano Ronaldos, që godet. E kush tjetër?”
Corriere dello Sport: “Real Madridi e vuri një këmbë në finale e Cardiff-it, ku historia ende e pret që të bëhet ekipi i pare, në gjendje për të fituar dy herë radhazi Champions-in. Cristiano Ronaldo zhyti Atletico Madridin në gjysmëfinalen e parë derbi. Tre golat e portugezit tregojnë qartë potencialin e një futbollisti të jashëtzakonshëm, si ai. Dhe të mendosh se ka shënuar tetë gola në tri ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, gjërat duken tejtokësore.”