Kryeministri Edi Rama ka takuar përfaqësues nga sektorë të ndryshëm për diskutimin e sfidave ekonomike nga situata e krijuar në vend.
Ai ka deklaruar se qeveria po shikon mundësinë për të shtyrë vendosjen e fashës 800 kWh për energjinë elektrike edhe në muajin nëntor.
Megjithatë, ai u shpreh se deri në këtë moment gjasat janë që kjo të mos ndodhë duke iu referuar kushteve atmosferike.
“Qeveria është aty sepse ka marrë besim për të bërë të pamundurën për të lehtësuar barrën. Nëse nuk do kishim mbrojtur çmimin e energjisë elektrike për bujtinat shumë nga ju do kishin falimentuar. Shikoni se çfarë ndodh në vende shumë më të përparuara se ne.
Në Itali çdo ditë mbyllen biznese, hotele, agro turizëm sepse nuk përballojnë dot më energjinë. Për ne është jetike të mbrojmë deri në fund familjet dhe biznesin e vogël. Dhe të bëjmë diçka më shumë edhe për sipërmarrjet më të mëdha që nuk e kanë të lehtë.
Kemi vendosur një fashë për të stimuluar kursimin dhe për të ulur konsumin e tepërt të energjisë. Ne mezi presim të shikojmë një mundësi të vogël që krijohet për të bërë një hap më shumë për të lehtësuar barrën e familjeve dhe bizneseve të vogla sidomos. U krijua një mundësi e vogël për ta shtyrë vendosjen e fashës dhe për të mos e vënë në muajin tetor.
Për shkak edhe të një moti të qëndrueshëm edhe sepse ka nisur një ndërgjegjësim për të kursyer. Patëm reshje. Për të fjetur gjumë rehat dhe për të thënë o sa mirë që doli dielli. Kemi ardhur në një kohë kur perëndia të na fali e shohim diellin me inat. Edhe për muajin nëntor po presim nëse do na krijohet një mundësi që për momentin nuk e kemi. Për momentin duhet të kursejmë, kursejmë”, tha Rama.