9tetor 2015 – Ndahet nga jeta aktori durrsak, Lazër Vlashi, një prej veteranëve të teatrit dhe filmit shqiptar. Lazër Vlashi lindi në Durrës më 15 shtator të vitit 1919, ndërsa aktivitetin artistik filloi në Teatrin Popullor në vitin 1948, pas një përvoje në teatrin amator.

Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri është roli i Celuhovit në pjesën “Guvernatori i provincës” në 1949. Ka interpretuar mbi 80 role kryesore e episodike si Simplin tek “Gratë gazmore të Uindsorit”, Stasin tek “Një nuse për Stasin”, Rastakofski-“Revizori”, Montani -“Otello”, Murashi- “Toka jonë”, Rusakov -“Në kopshtin e jargavanëve”, Kazanoku – “Orët e Kremlinit”, Ymeri – “Shtatë Shalianët”, Shpend Hekakeqi – “Besa e madhe”, etj.

Megjithëse doli në pension në mars të vitit 1976, Vlashi doli në skenë deri në mesin e viteve 90, në role të vegjël. Ka interpretuar me nivel edhe në disa filma artistikë si Ndërgjegjja (1972), Vitet e para (1965), Toka jonë (1964), Detyrë e posaçme (1963), Debatik (1961), Tana (1958) etj.

Ai ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Një ditë më parë u shua aktori korçar, Marko Bitraku.

/portali DurresLajm/