Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i klubit të Partizanit, Lin Shllaku, është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Në një njoftim të publikuar nga Partizani, thuhet se Shllaku ndërroi jetë nga një sëmundje në mushkëri.

Pak muaj më parë në 70-vjetorin e themelimit të Partizanit, ai u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

“Është ndarë sot nga jeta në moshën 78-të vjeçare ish futbollisti i njohur i viteve 60-të Lin Shllaku. Ish-kapiteni i Partizanit dhe ekipit tonë përfaqësues, i cili vuante nga një sëmundje në mushkëri u nda sot nga jeta në ambjentet e spitalit “Shefqet Ndroqi” ku edhe qëndronte i shtruar prej disa ditësh.

Klubi i Futbollit Partizani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve për humbjen e njeriut të tyre më të dashur”,-thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas. Ndërsa publikohet edhe një përmbledhje e veprimtarisë së tij sportive.

 

KUSH ESHTE LIN SHLLAKU

“Lin Shllaku- i lindur në Shkodër ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur të futbollit shqiptar me një karrierë të pasur, ku në 15-të kampionate Kombëtare ai koleksionoj 7 tituj kampionë; 7 Kupa Republike, medalje argjendi në turnet ndërkombëtar Lajpcig e Hanoi; fitues i një 1 Kupe Ballkanike me klube dhe 7 vjet kapiten i Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar, ku me ngjyrat kuqezi ka luajtur edhe 15 ndeshje”.

Ndërkaq, në nderim të figurës së ish-futbollistit, Federata Shqiptare e Futbollit do të mbajë homazhe nesër në mesditë.

“Federata Shqiptare e Futbollit, me hidherim te thelle njofton, ndarjen nga jeta te ish-kapitenit te Kombetares shqiptare te futbollit, ish- kapitenit te Partizanit dhe futbollistit te shquar Lin Shllaku.

FSHF, ne respekt te kesaj figure, organizon neser ne oren 12.30 ceremonine e homazheve per te ndjerin.

Ajo do te zhvillohet neser, ne hollin Agjencise Kombetare e Sportit ( ish- klubi Dinamo) dhe do te vazhdoje per nje ore. Ne oren 14.00, ai do te percillet per ne Varrezen e Tufines, ku do te prejet ne banesen e fundit”,-njofton FSHF.