Nga BUJAR QESJA
Durrës, 19 mars 2014 – Kam shkruar shumë për Muhamet Mustën. Emër shumë i njohur i botës së çiklizmit. E kam konsideruar si “kolos”, “flori i çiklizmit, “ikonë”, “legjendë”, “simbol”, “pikë referuese”, “shkollë e përgatitjes së talenteve”, “ i papërkulur në bindjet e tij sportive” e ku ta di tjetër. Brenda vetes qendroj i bindur plotësisht se i meritonte të gjitha. Madje edhe më shumë. Isha përgatitur t’i bëja një profil Muhamet Mustës, ku të kulloja të gjitha përvojën time të pasur në fushën e letrave. Dhe këtu më ndihmonte vetë Met Musta, me jetën e tij aktive, plot lëng dhe përkushtim njerëzor. Qenka e thënë që edhe unë të provokohem dukshëm nga kjo praktikë rutinë, që kur të qenit gjallë të një protogonisti të dorës së parë si Met Musta, nuk i je përkushtuar me tërë forcën e asaj që meritojnë dhe kur largohen nga kjo botë, të të dërrmojë makthi i asaj që nuk e bëre me kohë. Eh Met Musta, sa u lodhe dhe punove për këtë çiklizëm! Jam i sigurtë se pas teje nuk ka një të dytë. Lajmi i dhimbshëm u përhap si një rrufe në qiell të hapur, pkërisht në një nga ditët e fundit pranverore të muajit mars. Ndërsa dielli përvëlon si në verë, ajo që përvëloi dukshëm shpirtrat e opinionit sportiv dhe qytetar durrsak, ishte vdekja e emrit të shquar të çiklizmit Muhamet Musta.
Po, po, Metin nuk e kemi më në mesin tonë. Lindi në pranverë, si një lule plot aromë me të cilin mbështolli përjetësisht çiklizmin e Durrësit tonë, por edhe të Shqipërisë dhe u largua po në pranverë, për të mbetur sërish një aromë e pashuar, e nektarit që grumbulloi tërë jetën e tij, biri i dyrrotakëve të Durrësit. Meti lindi me 1 prill të vitit 1936 dhe jetoi plot 78 vite. Por largimi i tij nga jeta, nuk besohet ende pasi Musta ishte shumë vital, energjik dhe i kudondodhur. Kujtoj që një ditë, i lodhur dukshëm duke shkelur në zyra të hapura dhe të pahapura, për të kërkuar të trajtohet siç e meritonte me pension të veçantë, vjen e më takon duke gulçuar. Frymëmarrja kishte nisur t’i vështirësohej dhe plagët e një aksidenti të rëndë në vitin 2006 teksa ndiqte çiklistët në stërvitje po ia brenin fizikun e bëshëm dhe të padorëzuar deri aty.
“ Jam lodhur shumë miku im,- më tha,- për çiklizimin, për mbështetjen që iu duhet dhënë djemve. Kam konsumuar tërë jetën time për sportin e biçikletave. por e ndjej se forcat po më lënë e ndoshta punët që kam në plan t’i bëj do t’i lej në gjysmë të udhës. Do të më pëlqente tani në fund, të shkruash diçka të plotë për jetën time, për atë që bëra për çiklizmin, për Durrësin. Sakrifica, sakrifica, sakrifica të mëdha kam bërë. Dhe ja vjen një ditë dhe s’kam ç’të bëj tjetër.”
I dhashë kurajo në ato pak çaste tulatje të tij, pasi vitaliteti, forca fizike e pakonkurueshme, insistimi për t’ia dalë edhe kur gjërat e mira nuk bëheshin lehtë. I premtova se diçka të mirë më shumë se kurrë më parë do të bëja për të, pasi e meritonte ndonëse në raporte financiare nuk mori asnjëherë atë që i takonte. Kjo thjesht për punën titanike që kishte bërë, por edhe për meritat që i takonin. E kishim lënë të takoheshim një ditë. Kishim në plan të diskutonim edhe për kupën “Met Musta” që Federata Shqiptare e Çiklizmit e bënte çdo 1 prill për përvjetorin e lindjes së kolosit. Kishte hedhur edhe idenë, se si të festonte 80 vjetorin e lindjes.
“Mos më daltë shpirti,- më pohonte në një rast,- që t’i mbledhë të gjitha çunat. I dua shumë, më kanë respektuar sa ska ku të vejë më”.
Edhe se në këtë moshë të thyer, ai nuk pushoi së qënuri pranë djemve të rinj të çiklizmit, duke mbështetur punën pasionante dhe të palodhur të dyshes së trajnerëve Dashamir Rama dhe Ruzhdi Xhumra. Në familjen Musta diku në sektorin Hekurudha të plazhit të Durrësit, ngushëllojnë familjen dhe të afërmit me qindra njerëz. Vijnë jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit. Meti ishte mik i të gjithëve. Me punën dhe këshillat e tij, ishte kthyer pjesë aktive e çiklizmit. Kësisoj mbetet edhe më tej një figurë e gjallë dhe e pazëvëndësueshme e çiklizmit durrsak dhe më gjerë.
Së bashku me vëllanë e tij Vathin, Muhamet Musta është kthyer pjesë e historisë së lakmuar të historisë së sportit të biçikletave në Durrës. Vetë i sajonin dhe blenin biçikletat, i riparonin dhe ua jepnin çiklistëve për të pedaluar në gara dhe stërvitje. Kjo duke nisur që nga viti 1953, kohë kur janë edhe fillimet e Muhamet Mustës në pedalim. CV-ja e Mustës është shumë e pasur, e denjë të lakmohet nga cilido që ka nisur rrugën e bukur, por të vështirë të sportit. Shënimet që kemi marrë për këtë simbol të çiklizmit, nisin nga viti 1953 e përfundojnë ditët e fundit të jetës së tij në mars të 2014-tës.
Dhe në këtë rrugëtim historik, ashtu si një garë çiklistike e ndarë në etapa Musta ndan kapitujt e jetës sportive. Në vitin 1955 është thërritur në ekipin e famshëm të Partizanit, ku ka pedaluar së bashku me figurën qendrore të çiklizmit Bilal Agalliu dhe shkodranin Fadil Murriqi. Pasi kthehet në Durrës, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme, krijon ekipin e çiklizmit të Lokomotivës dhe guxon të sfidojë edhe kampionët e Partizanit. Lokomotiva jo vetëm fiton rrethet çiklistike në vitet 1972, 1974, 1980 dhe 2000, por kthehet edhe në burim talentesh që përfaqësuan Shqipërinë edhe në raportet ndërkombëtare. Emrat e mjeshtrave të merituar të sportit si Dashamir Rama dhe Lutfi Zino, e më tej të vëllezërve Bllaka, Haki Nikoçit, Shpëtim Ukut deri tek Abdolli dhe Zeneli, u përgatitën në shkollën kurdoherë të ndezur të Muhamet Mustës. Trajner i ekipit kombëtar në Kinë dhe Hollandë dhe në shumë startime të tjera, Muhamet Musta u kthye në pikë referimi dhe domosdoshmëri për të vulosur përvojën dhe aftësitë e tij në të gjitha hapat e zhvillimit të dy rrotakëve në Shqipëri. I dekoruar dy herë nga Kuvendi Popullor, meritoi me dhjetëra kupa, medalje dhe diploma, deri në vlerësimin me medalje të artë “Nderi i Sportit” dhe “Mirënjohja e qytetit të Durrësit”. Këshilli Kombëtar i Sporteve në mbledhjen e datës 10 prill 2014, vendosi t’i japë Muhamet Musta Medaljen e Artë për merita në fushën e sporteve, me këtë motivacion: “Për ndihmesën e dhënë në zhvillimin dhe përhapjen e sportit të çiklizmit, si dhe rezultatet e arritura si trajner në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”. Bashkia Durrës i jep Muhamet Mustës titullin: "Krenaria e Qytetit të Durrësit".
Por ajo që ka merituar ky zotni i sportit, mbetet mirënjohja e përjetshme e sportdashësve dhe qytetarëve durrsakë, e miqve dhe shokëve për atë që bëri në dobi të zhvillimit të sportit të dy rrotakëve. E shoqja Myzejeni, fëmijët Mimoza dhe Arbeni, presin dhe përcjellin këto ditë shumë njerëz. I lotuar është edhe nipi, pika e dobët e Mustës, Arigeri që gjyshi i mësoi hapat e para në çiklizëm. Por në to lexohet kënaqësia e pakufi, për emrin e mirë dhe prestigjin e merituar, krenarinë dhe autoritetin moral që u ka lënë bashkëshorti dhe babai i tyre i nderuar Muhamet Musta. Met Musta nuk është më në mesin tonë. Do të na mungojë kjo ikonë e çiklizmit, teksa e kishim pranë të na kurajonte për punët që na takonin të bënim.
Meti ynë mbetet edhe një vjershëtor i sportit. Shpejt në disa shënime të marra kaheri lexoj disa vargje nga krijimtaria e pasur dhe e ndjerë e Met Mustës:
Ecën, ecën biçikleta
rrugës gjatë pa ndaluar
mbetën prapa kilometra
nga çiklistët e dalluar.
Nëpër ngjitje e rrugë malore,
që nga jugu në veri
këmbët e forta burrërore
plot me forcë e energji.
Vjen finishi me të shpejtë
shkëputje të forta, të rrufeshme
mbaroi gara burrërore
përqafime dhe buzëqeshje.
Këta janë çiklistët durrsakë
që kanë ecur me nxitim
në stërvitje e në gara
kanë nderuar edhe emrin tim.
Po Met Musta, kanë nderuar emrin tënd, ashtu sikundër t’i nderove Durrësin dhe qytetin tënd të lindjes. I biri Arbeni, një futbollist i Lokomotivës në vitet 80-të, betohet se do t’i mbledhë të gjitha vargjet e të jatit për t’i botuar në një përmbledhje. Edhe nipi, Arigeri, përlotet, se nuk do ta ketë më pranë gjyshin e tij të pazëvëndësueshëm. Por e gjallë dhe që nuk tretet është puna titanike që bëri Met Musta në të gjallë të tij për çiklizmin dhe sportin e Durrësit.
Jam i sigurtë që jo vetëm mua po se po, po kujtdo do t’i bëhej qejfi në se rrugën ku Met Musta kalonte për ditë dhe që iu përkushtua deri sa të shtrohej e të lulëzonte kështu, t’i vendoset emri i tij. Diçka ka vend të bëhet për këtë njeri të madh të sportit durrsak, që të paktën të mbetet një shenjë ku të preket mirënjohja dhe respekti për këtë figurë sportive. Vetëm kështu do të besojmë se Met Musta mbetet i gjallë ndërmjet nesh.
Lamtumirë njeriu ynë i mirë dhe paharrueshëm Muhamet Musta! Kujtimi, respekti dhe mirënjohja janë gjërat më të pakta që mund të bëjmë tani ndaj teje. Që edhe ndonjë mëkat që na mbeti në të gjallët tënd, të mund ta shlyejmë tani që ti u strehove në jetën e përtejme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





