Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Prof. Dr. Mehmet Çeliku. Lajmin e hidhur e ka dhënë universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan përmes një postimi në rrjete sociale.
“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Mehmet Çeliku.
Për më shumë se gjysmë shekulli, Prof. Dr. Mehmet Çeliku dha kontribute të çmuara në arsimin e lartë në Shqipëri. Ishte një nga gjuhëtarët më të shquar në shkallë vendi dhe më gjerë. Ai konsiderohet si “rilindësi” modern i shekullit të XXI në këtë fushë.
Personalitet, idealist, shkencëtar, ai ishte pasues i mendjeve të ndritura të Gjuhës Shqipe si Konstandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt etj..”, shkruhet në postim.
Jetëshkrim për prof. dr. Mehmet Çeliku
Profesor Mehmet Çeliku u lind në Elbasan në 15 janar 1936. Shkollën e mesme e kreu në Elbasan dhe më pas studioi për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. Me mbarimin e studimeve universitare, filloi punë si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nga viti 1958 deri në 1973, vit kur nisi edhe punën në Universitetin e Elbasanit, në atë kohë Instituti i Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani”.
Profili shkencor në Akademi i profesor Çelikut ishte dialektolog. Gjatë 15 viteve të punës në këtë institucion ai hulumtoi mbi njëqind pika të banuara dhe studioi të folmet e gegërishtes jugore dhe të folmet kalimtare. Ishte bashkëhartues i Gramatikës së Akademisë, vëllimi II, si dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1973 prof. dr. Mehmet Çeliku emërohet si pedagog në ILP “A.Xhuvani”, mori detyrën e përgjegjësit të katedrës së gjuhës, letërsisë dhe gjuhëve të huaja, dhe e drejtoi atë për 19 vjet, deri në vitin 1992, duke i dhënë kësaj njësie një profil të qartë kërkimor shkencor, por edhe një mësimdhënie të nivelit universitar të denjë për traditën e qytetit të Elbasanit. Ai punoi për 41 vite në këtë universitet deri në fund të punës së tij si mësimdhënës universitar.
Ai ishte titullar i disa lëndëve gjuhësore, si: morfologji, sintaksë, dialektologji, shqipe standarde dhe i tri kurseve speciale në fushë të gjuhës (ku trajtoi probleme të morfologjisë, çështje të normës gramatikore, format e pashtjelluara të foljes); disa nga lëndët dhe kurset e tij janë zhvilluar edhe në Universitetin e Tiranës, por edhe në universitete të tjera të vendit (Gjirokastër, Tetovë etj.).
Ishte rektori i Universitetit “A. Xhuvani” Elbasan nga viti 1992 deri në 1996.
Përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe gjuhës shqipe e vijoi në Elbasan me të njëjtin intensitet si në vitet e Akademisë dhe në vitin 1980 mori titullin “Kandidat i shkencave” me disertacionin “Gegërishtja jugperëndimore”; në vitin 1984 mori titullin “Docent”; në 1990 mori titullin “Doktor i shkencave” me disertacionin “Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”; në vitin 1994 mori edhe titullin “Profesor”.
Gjithashtu ai është nderuar edhe me titujt “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” (1987), “Mësues i Popullit” (1993), dhe “Qytetar nderi” i Elbasanit (2006).
Veprimtaria botuese e profesor M.Çelikut përmbledh rreth 200 zëra (libra, monografi, përmbledhje, tekste universitare, artikuj, referate, kumtesa), me mbi 3500 faqe të botuara, ndër të cilat përmendim: “Probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe”, botim i SHBLU, Tiranë 1997; “Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”, botim i parë i SHBLU, Tiranë 2000, botim i katërt i ILAR, Tiranë 2013; “Çështje të shqipes standarde”, botim i ASHSH, Tiranë 2014; “Gramatika e gjuhës shqipe, vëllimi II Sintaksa”, me bashkautorë e botuar nga ASHSH, Tiranë, 1997; “Gramatika praktike e gjuhës shqipe”, me bashkautorë dhe kryeredaktor i saj, botimi i katërt 2007; “Tekst ushtrimesh për sintaksën e shqipes standarde (Pajisur me shënime teorike dhe me modele të zgjidhura)”, ILAR, Tiranë, 2008; “Institucione, autorë, vepra, intervista”, Tiranë, ILAR, 2009, botuar nga Universiteti “A. Xhuvani”; “Sintaksë e gjuhës shqipe (Përbërësit sintaksorë), Vështrim i ri teorik”, Tiranë 2012; “Hyrje në metodologjinë e kërkimit shkencor (Shkencat gjuhësore)”, Tiranë 2014.
Ishte hartues i dy teksteve universitare: “Sintaksa e gjuhës së sotme letrare shqipe (leksione)”, bot. i parë Elbasan 1977; botim i dytë, Tiranë, 1980;
“Tekst ushtrimesh të gjuhës shqipe, pjesa e dytë”, me bashkautorë, botim i Universitetit të Tiranës, Tiranë 1984.
Projekti i fundit në duart e profesorit, me të cilin kishte disa vite që po punonte, ishte “Parafjalët e gjuhës shqipe (vështrim morfo-sintaksor)”, 380 faqe dorëshkrim i daktilografuar.
Artikujt e botuar në organe shkencore janë të shumtë (131 tituj) dhe po ashtu të shumta janë edhe pjesëmarrjet e tij në konferenca brenda dhe jashtë vendit.
Në 31-31 tetor 2015 Universiteti i Elbasanit organizoi një konferencë shkencore mbarëkombëtare me titull “Mehmet Çeliku – personalitet i gjuhësisë shqiptare”, ku morën pjesë 61 kumtues me 53 kumtesa nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut.
Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 30 dhjetor 2020.
Jeta dhe vepra e tij do të mbeten shembull frymëzimi për brezat që do vijnë!