Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare solistja e Ansamblit të Valleve Popullore, Lili Madhi (Këlliçi). Lili Madhi (Këlliçi) është nga pionieret e historisë së vallëzimit popullor shqiptar.
Në vitin 1945, në moshnën 13-vjeçare ajo u zgjodh nga koreografi i njohur Panajot Kanaçi,(që atëherë i dhënë pas artit koregrafik), në grupin e kërcimtareve, ku bënin pjesë djem dhe vajza të tjera.
Më 1950 ajo u bë pjesë e grupit të valleve të Filarmonisë Shqiptare të sapokrijuar. Dhuntitë akrobatike, të gërshetuara edhe me dhunti të kërcimit ritmik, i dhanë mundësi të bëhej valltare e njohur, krahas valltareve të tjera veterane, Kallajxhi, Radovcika, Terca, Sharofi, dhe më pas Cingu, Zekthi, Celiku, Lubonja etj.
Ajo u shqua edhe në interpretimin e valleve të tjera popullore shqiptare si dhe klasike, nga operat e njohura të kompozitorëve Glinka, Dragomirski, List, Haçaturian.
Lili Madhi u shqua veçanërisht në interpretimin si kërcimtare soliste të “Valles së Tropojës”, ku shpalosi para shikuesve forcën, bukurinë dhe magjinë e kërcimit tropjan, si dhe në “Vallëzimin e shqipeve”, me partner valltarin e shquar Besim Zekthi, ku të dy së bashku, nëpërmjet shëmbëlltyrës së shqiponjës, sollën në skenë shpirtin dhe krenarinë e trimit dhe trimreshës shqiptare në shekuj.
Duke qenë që në krijimin e tij më 1957, valltare e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Lili Madhi (Kelliçi), ka marrë pjesë në shumë nga turnetë artistike që ky ansambël ka bërë në Bashkimin Sovjetik dhe vende të tjera të ish-Kampit Socialist, pastaj në Kinë, Mongoli, Vietnam, Korenë Veriut, Egjipt, duke mbetur edhe sot në historinë e këtij ansambli si valltare shumë e talentuar.