Piktori i njohur shqiptar Pandi Mele është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare si shkak i një sëmundjeje të rëndë. Artisti u shua pak ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pandi Mele është një nga piktorët më të njohur shqiptarë, fama e të cilit tashmë është bërë ndërkombëtare. Piktor i spikatur i metodës së realizmit socialist, ai vijoi pikturën realiste pa asnjë kompleks përballë pikturës moderne.

Vetë presidenti amerikan, Barack Obama, së fundmi i ka dërguar një letër falënderimi për pikturat e tij të bukura. Një prej tyre është edhe vetë portreti i presidentit në Shtëpinë e Bardhë.

Artisti që la pas një histori të çmuar në historinë e artit pamor në Shqipëri, lindi në vitin 1939 në Korçë. Në Tiranë, ndoqi Liceun Artistik për pikturë. Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i grafikës në Ish-Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës. Ekspozoi për herë të parë në moshën 17-vjeçare “Porteti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë).