Poeti i njohur Arben Duka është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të marte. Lajmin e trishtë e jep kreu i UGSH Aleksandër Çipa. Newsbomb.al mëson se Duka vuante nga një sëmundje e rëndë dhe sot ka mbyllur sytë përgjithmonë, në moshën 64 vjeçare.

“Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm”, shkruan ai.

Është ndër poetët më të lexuar nga shqiptarët. Vitet e fundit vinte me poezitë e tij satirë në faqet e gazetës “Dita”. Por, në jetën e vet, ka mbi 50 vjet që prodhon krijimtari artistike me vargje. Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë, si dhe bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Arben Duka dhjetra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar.

Gjithashtu, ai është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirike në shumë të përditëshme dhe periodike.

Arben Duka ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat E Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Arben Duka është më së shumti një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës.

Duka është autor i tekstit të Hymnit të Policisë së Shtetit. Gjithë krijimtaria e tij ka ndikim pozitiv dhe frymëzues tek lexuesit, fansat dhe dashamirët e shumtë të poetit kudo ku jetojnë shqiptarët. Arben Duka është “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, “NDERI I ODRIES”, “NDERI I LUNXHËRISë”, “NDERI I VETERANËVE Të LUFTËS”. Nuk ka dhe nuk ka kërkuar asnjëherë dekorata shtetërore.