Dëshironi që të keni informacion për pagesën e faturës të ujit të pijshëm. Keni ndonjë kërkesë që doni tja drejtoni Ujësjellës Kanalizimeve. Doni të dini më shumë për cilësinë e ujit në zonën tuaj. Për të gjitha këto dhe pyetje të tjera, tashmë do të keni përgjigje nëpërmjet Portalit Kombëtar të Konsumatorëve, i cili vjen nëpërmjet Ujësjellës Kanalizimeve, shuk.al. Për këtë është zhvilluar sot në Durrës, fushata sensibilizuese, ku në qendër të qytetit, qytetarët janë informuar nëpërmjet stendës të vendosur përpara bashkisë së qytetit.
Fushata e zbatuar nga DARC, zhvillohet në kuadër të programit: “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me ujë dhe kanalizime drejt performancës dhe konsumatorit’’ si dhe projektit: “Mbështetja e BE-së për shërbimet e menaxhimit dhe trajtimit të Ujërave të ndotura’’ bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.
Jonita Kabashi, koordinatore e fushatës sensibilizuese u shpreh e kënaqur me interesimin e shfaqur nga ana e qytetarëve.
Sipas saj, fushata në Durrës ka ecur mjaft mirë dhe qytetarët kanë shprehur mjaft interes.
Fletëpalosjet me informacionet e nevojshme dhe shpjegimi i dhënë tërhoqën vëmendjen e qytetarëve në këtë fushatë.





