Gjykata kushtetuese në seancën e sotme, të shqyrtimit të ankesës së ish- kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, për rikthim në detyrë, vendosi të administrojë videon dhe provat. Trupi gjykues e ka shtyrë seancën për në datën 19 korrik.
Avokati i Xhelilit, Ferdinant Ndoja e cilësoi të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra, menjëherë pas publikimit të video-skandalit.
E ndërsa sipas përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, Artur Metanit, Xhelili shkeli ligjin pasi kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendi pune dhe cënoi rëndë besimin e qytetarëve.
Shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, është mundësia e fundit e Shukri Xhelilit në hierarkinë ligjore. Në të shkuarën, gjykata ka marrë vendime për dy raste të ngjashme shkarkimi, kur dy kryetarë komunash u shkarkuan nga qeveria në vitin 2011 dhe 2013, pas raporteve të deklarimit të pasurive dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vendimet e gjykatës janë barazim. Për të parin është lënë në fuqi vendimi i qeverisë, për të dytin vendimi i qeverisë është rrëzuar dhe kryetari i komunës u kthye në detyrë.
Shukri Xhelili u arrestua pak muaj më parë në Tiranë, pas një videoskandali ku ai shfaqei duke i kërkuar favore seksuale 20-vjeçares A.A. Mbi 56- vjeçarin rëndon akuza e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Referuar nenit 260 të Kodit Penal, Xhelili rrezikon një dënim nga 4 deri në 12 vite burg dhe gjobë nga 1 deri në 5 milionë lekë. Pas publikimit të videos, Xhelili pati deklaruar se kishte rënë pre e një kurthi të ngritur nga kundërshtarët e tij.





