3 dhjetor 2014 – Ilir Shulku, sekretar i Përgjithshëm i FSHF, ka komentuar vendimin e Komisionit të Apelit pranë UEFA-s në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri duke sjellë detaje të reja mbi diskutimet para marrjes së vendimit. Ai tha se pala serbe kërkoi shtyrjen e vendimit për të diskutuar me FSHF-në për të riluajtur ndeshjen.
"Përpara se të fillonte mbledhja e Komisionit të Apelit kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Duka, i cili ishte i pranishëm në mbledhje. Më është bërë e ditur se Federata Serbe ka kërkuar një shtyrje të vendimit nga Komisioni i Apelit për të zhvilluar një bisedë me FSHF-në, ku kanë bërë një ofertë që ndeshja të riluhet pa tifozë, por sërish në Serbi. Presidenti Duka e ka kundërshtuar këtë kërkesë të palës serbe dhe ne kemi kërkuar që të marrim atë që na takon, 3 pikëshin në tavolinë. Ndërkohë që të gjithë zyrtarët e ndeshjes janë pyetur nga komisioni dhe raportet e tyre me atë çka kanë thënë para komisionit nuk kanë përputhje dhe raportet mes zyrtarëve janë shumë kontradiktore. Për këto arsye ne shpresojmë që në KAS të marrim 3-pikëshin", është shprehur numri dy i FSHF-së. Komisioni i Apelit la në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës që i heq tre pikët Shqipërisë. Pala shqiptare pritet ta çojë çështjen në Arbitrazhin Sportiv.





