Emiljano Shullazi, i cili është me masë sigurie arrest me burg për shantazh, gjobëvënie e të tjera akuza, po hetohet edhe për vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti dhe që tronditi qytetin bregdetar.
Ekspertët mjeko-ligjorë do të krahasojnë ADN-në e Shullazit me ADN-në e gjakut që u gjet në makinën e ish-policit Ervin Dalipaj. Më këtë makinë u mor peng Gazmend Çollaku, rreth 6 muaj më parë.
ADN-ja do të krahasohet për të vërtetuar nëse Shullazi ka gisht apo ka ekzekutuar vetë Gazmend Çollakun, pasi hetuesit dyshojnë se Emiljano Shullazi ka qenë në makinën që u mor peng viktima, raporton televizioni “ABC News”.
Emiljano Shullazi është treguar i gatshëm të japë gjak për të mundësuar analizat. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës mbetet në qeli Denis Shtraza, i dyshuar si njëri nga rrëmbyesit.





