Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri do të paraqitet nesër në ora 10:00 pranë prokurorisë për krime të rënda, ku do të merret në pyetje për Emiljano Shullazin.
ABC News ka mësuar se Tahiri ka konfirmuar marrjen e flet-thirrjes dhe ka pranuar të paraqitet në prokurori, për të dhënë shpjegime për takimin me profesorin Mynyr Koni, i cili mendohet se është kërcënuar nga Emiljano SHullazi.
Sipas akuzës, profesor Koni pas kërcënimit është pritur në një takim nga ministi i Brendshëm i asaj kohe, i cili ka premtuar zgjidhjen e çështjes.
Burimet thonë se bashkë me Tahirin në takim ka qenë edhe ministria e Arsimit, Lindita Nikolla të cilët i kanë ofruar siguri profesor Konit për të vazhduar garën për rektor.
Në prokurori, burimet thonë se është thirrur për të dhënë shpjegime për këtë fakt edhe ministria e arsimit Lindita NIkolla. Kjo e fundit, thonë burimet e prokurorisë do të paraqitet në 10:30 minuta në prokurori me cilësinë e dëshmitares.
Si ministren e arsimit Nikolla ashtu edhe ish-ministri Tahiri do të pyeten nga prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj, e cila ka firmosur edhe shkresat për thirrjen e tyre në prokurori.
Sipas akuzës, nuk përjashtohet mundësia që veç Nikollës dhe Tahirit të merren në pyetje edhe zyrtar të lartë e deputet të parlamentit, që kanë pas dijeni për kërcënimet e Emiljano Shullazit.
Ky i fundit së bashku me të dyshuarit si pjesëtar të "bandës" së tij po hetohen prej muajsh nga prokuroia për Krime të Rënda për disa akuza, si gjobëvenie e kërcënime ndaj dy profesorëve Dhori Kule e Mynir Koni.





