4 prill 2014 – Kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher ka treguar shenja se është i vetëdijshëm pas muajsh të tërë të kaluar në gjendje kome. Lajmin e ka bërë të ditur agjentja e tij Sabine Kehm, në një deklaratë për shtyp, ku ndër të tjera thotë: “Kampioni po bën progres. Ne mbetemi optimistë”. Mjekët në Francë kanë punuar intensivisht për ta nxjerrë shtatë herë kampionin e botës nga koma mjekësore ku ishte futur. 45-vjeçari gjerman pësoi një dëmtim të rëndë në kokë teksa bënte ski në Alpet franceze, 29 dhjetorin e vitit të kaluar.
“Ne jemi përkrah tij në këtë betejë të gjatë e të vështirë, bashkë me grupin e mjekëve në spitalin e Grenoblës. Ne do të donim t’ju falenderonim për të gjithë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë kërkojmë mirëkuptim për faktin se nuk mund të japim detaje”,- tha Kehm në deklaratën për shtyp.
Muajin e kaluar familjarët e Schumacher thanë se ai kishte treguar “shenja të vogla inkurajuese”. Ndërsa hetuesit që kanë hetuar incidentin e tij thanë se Schumi po ecte me shpejtësinë e “një skiatori shumë të mirë” në momentin kur përplasi kokën në shkëmb.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





