Kombet e Bashkuara ndezën alarmin lidhur me përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – në Liban, duke paralajmëruar se veprimet dhe retorika po e çojnë konfliktin në Lindjen e Mesme në “tjetër nivel”.
“Jemi shumë të shqetësuar, shumë të brengosur për përshkallëzimin në Liban”, tha për AFP-në, Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës për të drejtat e njeriut në OKB.
“Sulmet që kemi parë ndaj pajisjeve të komunikimit, pejxherëve, pas sulmeve me raketa dhe shkëmbimit të zjarrit mes palëve përbëjnë përshkallëzim”, shtoi ajo.
Sipas Shamdasani, OKB-ja që një kohë të gjatë ka paralajmëruar se konflikti mund të shndërrohet në konflikt rajonal, dhe “duket se si veprimet ashtu edhe retorika e palëve në konflikt po e çojnë konfliktin në tjetër nivel”. Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në baza ditore përgjatë kufitar.
Por, tensionet janë përshkallëzuar së fundi dhe Libani më 23 shtator raportoi për më shumë se 180 persona të vrarë dhe mbi 400 të plagosur nga sulmet ajrore izraelite. Izraeli tha se ka goditur më shumë se 300 caqe të Hezbollahut përmes dhjetëra sulmeve.
Këto sulme vdekjeprurëse vijnë pasi 39 persona u vranë dhe pothuajse 3.000 u plagosën javën e kaluar pas shpërthimeve që shënjestruan pajisjet e komunikimit që përdoren nga Hezbollahu. Për këto sulme, grupi libanez ka fajësuar Izraelin, por Izraeli nuk ka komentuar për sulmet./ REL