Dy konkurse të dështuara dhe deri më tani asnjë kandidat për postin e sekretarit të përgjithshëm të Prefekturës Durrës.
Dy konkurse të organizuara nga Departamenti i Administratës Publike me procedurat e Lëvizjes Paralele dhe Ngritjes në Detyrë kanë dështuar, pasi prej tyre nuk ka dalë asnjë kandidat i kualifikuar për fazën e dytë të konkurimit (shih poshtë dy njoftimet e publikuara nga DAP)
Posti i sekretarit të përgjithshëm të Prefekturës Durrës është mbajtur për vite me rradhë nga Shyqyri Ballgjini, i cili kohët e fundit plotësoi moshën për pension dhe për pasojë u shpall vendi vakant.
Konkurset për procedurat Lëvizje Paralele dhe Ngritje në Detyrë u zhvilluan në ditët e fundit të vitit 2019 (23 dhe 28 dhjetor) dhe DAP pati njoftuar se në datën 7 janar do të njoftoheshin nëpërmjet faqes zyrtare, të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për procedurën e ngritjes në detyrë, në lidhje me datën dhe vendin ku do të zhvillohet konkurrimi, meqë procedura Lëvizja Paralele nuk prodhoi asnjë kandidat që kalonte për fazën tjetër.
Sot, datë 7 janar, DAP njofton se dhe nga procedura Ngritje në Detyrë nuk ka kandidat të kualifikuar.
Nuk dihet ende se si do të operohet në këtë rast, pasi DAP deri më tani nuk ka sqaruar si do të plotësohet vendi vakant i mbetur bosh që nga dalja në pension e Shyqyri Ballgjinit.
M.B.





