Shumica dërrmuese e republikanëve të Senatit Amerikan votuan kundër procedimit të gjyqit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Kjo sinjalizon se Trump nuk do të dënohet mbi akuzat për nxitje të trazirave vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit amerikan, më 6 Janar.
Në një votim procedural të mbajtur të martën, vetëm 5 nga 45 senatorët republikanë iu bashkuan 50 demokratëve të Senatit, që duan të vazhdojnë me gjyqin.
Votimi me 55 vota për dhe 45 kundër sugjeron se gjyqi i Trump-it ka të ngjarë të përfundojë me pafajësi. Për ta dënuar Trump-in, së paku 17 senatorë republikanë duhet të bashkohen me të gjithë senatorët demokratë, për të arritur shumicën minimale prej dy të tretave.
Gjyqi nuk është planifikuar të fillojë deri në javën e 8 Shkurtit. Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trump-it, pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 Janar.
Në trazirat në Kongres, pesë persona kanë vdekur, në mesin e tyre një zyrtar i policisë. Trump është akuzuar se me fjalimet e tij, i ka nxitur mbështetësit të sulmojnë dhunshëm Kongresin, në përpjekje për të ndryshuar rezultatin zgjedhor./REL