Procesi i rimbursimit të shërbimit të hemodializës në Spitalin Amerikan është bërë objekt i një hetimi nga ana e njësisë hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës. Tre muaj më pare, kjo prokurori ka nisur një procedim penal për disa zyrtarë të Spitalit Amerikan dhe punonjës të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, pasi ka indicie të forta se ata janë implikuar në një skemë abuzive me rimbursimin financiar të këtij spitali, lidhur me kontratën e shërbimit për hemodializën, që ky subjekt ka me QSUT-në.
Hetimet kanë nisur për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, ku i dyshuar është administratori i Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu, mjekja A.S., drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe Planifikimit Financiar A.Z. dhe Drejtorja e Përgjithshme e QSUT “Nënë Tereza” O.M.
Indiciet kanë shkuar në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili, në një kontroll 3-mujor pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ka zbuluar vetëm majën e ajsbergut të abuzimeve nga mjekë dhë punonjës të kësaj qendre, të cilët, në bashkëpunim edhe me subjektin privat, Spitalin Amerikan, kanë fryrë numrin e pacientëve që marrin shërbimin e hemodializës dhe, për rrjedhojë, kanë sjellë fryrje të pajustifikuar të faturave financiare.
Aq më tepër që, në dokumentacionet në zotërim të “Shqiptares.com”, rezulton se Spitali Amerikan ka prerë një faturë financiare prej 26 milionw e 200 mijë lekësh të vjetra për një periudhë 1-mujore, ndërkohë që thuajse nuk kishte kryer asnjë seancë shërbimi hemodialize për pacientët që vuajnë nga sëmundja e veshkave, të cilët ishin larguar në fund të muajit nga shërbimi i QSUT tek shërbimi privat i Spitalit Amerikan.
Tashmë njësia hetimore Task-Forcë është duke hetuar dhe tejfryrjen artificiale e numrit tw pacientëve që marrin shërbim hemodialize në këtë spital. Të gjitha faturat e tyre janë rimbursuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet Fondit të Sigurimeve Shwndetwsore. “Shqiptarja.com” ka telefonuar administratorin e Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu, por ky i fundit nuk ka preferuar të përgjigjet lidhur me hetimin që prokuroria e Tiranës është duke kryer për abuzimet e rimbursimit të shërbimit të hemodializës.
Vetëm maja e ajsbegut abuzimi me transportin
Abuzimet me faturat e rimbursueshme për shërbimin e hemodializws që kanë mbëritur në prokurorinë e Tiranës janë vetëm maja e ajsbergut. Kjo, pasi shkeljet që do tw paraqiten më poshtë janë evidentuar vetëm nga një kontroll sipërfaqësor për një periudhë 3-mujore të vitit 2014 dhe 3-mujore për vitin 2015.
Tashmë ky skandal i spitalit privat është duke u hetuar nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës, e cila mësohet të ketë tërhequr dokumentacionin nga Qëndra Spitalore “Nënë Tereza”, për ta ballafaquar atë me dokumentacionin që kanë përpiluar zyrtarët e Spitalit Amerikan nga kontrolli me zgjedhje i tremujorit të parë të vitit 2014 dhe muajve maj-qershor-korrik 2015.
Gati 70 mln lekë të pajustifikuara
Gjatë këtyre kontrolleve në QSUT janë konstatuar shkelje përsa i përket zbatimit të kontratave në disa spitale private, përfshirë këtu dhe Spitalin Amerikan, për shërbimin e hemodializës gjatë vitit 2014, ku është paguar shërbimi i transportit për dializantët, por nga kontrolli u konstatua qw, sipas kushteve të kontratës, është përcaktuar se, për çdo seancë të kryer, çdo pacient do të rimbursohet në vlerën 419 lekë të reja si shpenzime transporti.
Shuma në total, e pajustifikuar me dokumentacion vërtetues për shpenzime transporti, llogaritet në vlerën 6.908.656 lekë të reja. Nga likujdimi i tyre u konstatua se këto shpenzime bëheshin bazuar thjesht në një listë emërore, të paraqitur dhe hartuar nga operatori privat dhe që janë vulosur nga mjekja nefrologe A. S.
Nga ana e grupit të punës është kontrolluar përputhshmëria midis pacientit dhe seancave që kryente dhe shpenzimeve tw transportit që merrte dhe ka rezultuar qw shuma të cilën e përfitonte i faturohej dhe kalonte në llogaritë e operatorit privat Spitalit Amerikan dhe jo pacientëve.
Asnjëherë pacienti nuk paguhej në bazë të numrit të seancave që kryente, ndwrkohw qw kanë rezultuar raste kur personi që listohej të shpenzimet e transportit nuk rezultonte të ishte në listën e pacientëve që faturoheshin për seancat që kryenin pranë Spitalit Amerikan dhe një subjekti tjetër privat.
Fryrja e numrit të pacientëve
Në qershor të vitit 2012, ndërmjet QSUT “Nënë Tereza” dhe shoqërisë “Univers Alb”, që është Spitali Amerikan, lidhet një kontratë me afat 36 muaj për trajtimin me dializë nga blerësi për 102 pacientë. Kosto e një seance dialize është 10.309 lekë dhe vlera totale vjetore e kontratës ishte 125.640.091 lekë me TVSH.
Në 2014 shifra e kontratës ka pasur dhe një plus marzh fitimi me 5 për qind për çdo seancë. Vetëm gjatë vitit 2014 Spitali Amerikan që administrohet nga Klodjan Allajbeu ka përfituar një shifër prej 317.107.270 lekësh të reja, konvertuar nw valutw shifra shkon në 2.33 milionw euro. Hetimet kanë zbuluar se nuk ekziston asnjë regjistër themeltar, apo qoftë dhe ndonjë evidencë, ku lehtësisht të evidentohej si është rritur numri i pacientëve në mënyrë progresive dhe ecuria klinike e tyre.
Grupi i kontrollit ka hasur në dyshime edhe lidhur me listat emërore të pacientëve, për të cilët QSUT ka paguar shërbimin e dializës për vitin 2014, ku, sipas dy kontratave me subjektet private, përfshirë dhe Spitalin Amerikan ka qënë rreth 328 pacientë. Kjo shifër është e dyshimtë për vërtetësinë e saj, pasi, sipas grupit të kontrollit, ka mungesë të një regjistri themeltar, i cili të përshkruante për çdo pacient kohën në të cilën është futur në shërbimin e dializës, si dhe ecurinë klinike të tij, mënyrën se si ky pacient është orientuar tek operatori privat për të marrë shërbimin.
Gjatë relizimit të kontratës me Spitalin Amerikan dhe një subjekt tjetër privat, ka një rritje të numrit të pacientëve, që nuk justifikohet me ndonjë argument apo të dhënë statistikore mbi të cilën bazohet rritja ekonomike. Deri në muajin maj 2014 janë trajtuar jashtë numrit të përcaktuar në kontrata dhe të pamiratuara, gjithsej 166 pacientë, me kosto 10.309 lekë seanca dhe 11.204 lekë seanca, kur mesatarisht ata kryejnë 13 seanca në muaj, e llogaritur në vlerë mesatarisht 24.178.232 lekë mbi vlerën aktuale të kontratës.
Për periudhën janar-dhjetor 2014, lidhur me seancat e kryera të pacientëve, rezultoi se, në kundërshtim me vendimin nr.1 të Bordit të QSUT, ky kusht i realizimit të tre seancave në muaj nuk është respektuar. Nga llogaritja e kryer nga grupi i auditimit, duke marrë mesatarisht 13 seanca, që duhet të realizojë një pacient në muaj, u konstatua se është tejkaluar ky numër seancash hemodialize, e cila në vlerë llogaritet 11.242.980 lekë të reja.
62 pacientë në 2013-n jashtë kontratës
“Shqiptarja.com” mëson se, që prej 2012, çdo vit Spitali Amerikan ka pasur rinovim të kontratës me QSUT. Më 10 qershor 2013, me vendim nr.1 të Bordit, është miratuar rinovimi i kontratës për vitin 2013, por është vendosur si kusht trajtimi i pacientëve me 3 seanca në javë, kjo duke u bazuar dhe në udhërëfyes botërorë të trajtimit të pacientëve me SRK. Më tej, gazeta “Shqiptarja.com” mëson se, me shkresën e datës 31 mars 2014, Drejtoria e Përgjithshme e QSUT i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë.
Në këtë shkresë evidentohet, ndër të tjera, se në Spitalin Amerikan vijojnë të trajtohen pacientë të QSUT-së dhe numri është fryrë me 62 pacientë më tepër. Nga ana tjetër, ministria e Shëndetësisë jep miratimin për trajtimin mjekësor. Vetëm një muaj pas këtij miratimi, drejtoresha e QSUT lidh një kontratë të re me Spitalin Amerikan, i cili tashmë kishte çuar numrin e pacientëve me hemodializë në 210 persona. Nga ana tjetër, shërbimi i nefrologjisë i është drejtuar drejtores së QSUT një ditë më vonë, pra më 13 maj 2014, duke kërkuar hapjen e procedurave të prokurimit të trajtimit me hemodializë të pacientëve me sëmundje renale kronike.
Nuk dorëzohet dokumentacioni
Nga kontrolli është konstatuar se këta të sëmurë janë trajtuar në operatorët privatë vetëm me referencë të mjekëve të nefrologjisë, pa u regjistruar në një regjistër themeltar të të sëmurëve që trajtohen në hemodializë. “Shqiptarja.com” mëson se grupit të kontrollit të KLSH nuk i janë dorëzuar nga ana e mjekes nefrologe A.S dokumentat, duke përfshirë kartelat e pacientëve, listat e pacientëve dhe kontratat mes Spitalit Amerikan, me argumentin se shkelen detyrimet dhe të drejtat e autoritetit kontraktual dhe të drejtat e pacientit.
Asnjë reagim
”Shqiptarja.com” ka telefonuar administratorin e spitalin Amerikan Klodjan Allajbeu, por ky i fundit nuk ka preferuar të përgjigjet lidhur me hetimin që prokuroria e Tiranës është duke kryer për abuzimet e rimbursimit të shërbimit të hemodializës.
Shkelja
Për periudhën janar-dhjetor 2014 lidhur me seancat e kryera të pacientëve rezultoi se, në kundërshtim me vendimin nr.1 të Bordit të QSUT, ky kusht i realizimit të tre seancave në muaj nuk është respektuar.
Akuzat
Hetimet kanë nisur për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, ku i dyshuar është administratori i Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu, mjekja A.S., drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe Planifikimit Financiar A.Z. dhe drejtorja e Përgjithshme e QSUT “Nënë Tereza” O.M.
Koncesioni 86 mln euro Maskimi i Alljabeut pas kompanisë “Evita” për fitimin e koncesionit
Spitali Amerikan, një vit më parë u shpall fitues nga ministria e Shëndetësisë i koncesionit 10-vjeçar për shërbimin e hemodializës në 5 rrethe të tjera të vendit. Spitali Amerikan përdori një kompani farmaceutike të quajtur “Evita”, me adresë në një kafene në Berat, për të fituar këtë superkoncesion. Kjo kompani është përdorur si maskim nga Spitali Amerikan, për të fituar këtë koncesion. Mirëpo, në një kohë kur po arkëton miliona lekë nga buxheti i shtetit, masat e sigurisë nuk kanë qenë ato, që kërkohet nga një institucion i tillë mjekësor.
Marrë nga "Shqiptarja.com"





