Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, dy krerët e partive më të mëdha opozitare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ngritën akuza të rënda ndaj qeverisë për lidhjet e saj me krimin.

Si Kryemadhi ashtu dhe Basha, publikuan foto si fakte të lidhjes së qeveritarëve me disa kriminele. Ndër fotot e publikuara ishte dhe ajo e Durim Keçit i cili është arrestuar vetëm pak ditë më parë në Durrës, për llogari të Italisë. Ai rezulton të jetë i dënuar ne shtetin fqinj me 9 vite burg nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërdorimit të pronës. Fotoja e Keçit u publikuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili shikohej në krah të deputeti të PS-së Blendi Klosi.

Por për të njohur pak më shumë të shkuarën e Durim Keçit, media italiane janë ata që kanë skeduar disa fakte lidhur me të akuzuarin nga Shqipëria, i cili kishte qenë i shpallur në kërkim dhe nga Interpol.

Në një artikull të saj “repubblica.it”, jep më shumë detaje për të pandehuri sipas saj me rrezikshmëri të lartë.

Ai ishte konsideruar si një prej të pandehurve më të rrezikshëm të mafies shqiptare dhe u dënua me 18 vite burg. Gjatë seancave gjyqësore kishte kërcënuar dy gjyqtarët e çështjes, Francesca Nanni dhe Silvio Franz ku ishte shprehur se do i bënte të paguanin shtrenjtë. Mes polemikash u mbyll faza e pare e procesit.

Bëhet fjalë për Durim Kecin, i lindur në Durrës më 07/09/1977. Pavarësisht kërcënimeve, rrezikshmërisë që paraqiste dhe dënimit të rëndë, Keci arriti të lirohej nga burgu. I vetmi detyrim që kishte, ishte të mos largohej nga Bolonja, urdhër ky i dhënë nga Gjykata e Lartë, sipas të cilës nuk kishte rrezik për arratisje.

Por 48 orë më vonë i pandehuri Gëzim Keci ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Askush nuk e dinte vendndodhjen e tij. Për të nuk ishte e vështirë të pajisej me dokumente të reja, dhe më pas të fluturonte nga Bolonja drejt Tiranës. Dhe nëse përsëri ka nevojë për para, ai mund t’i rikthehet me lehtësi trafikut të drogës dhe prostitucionit për të cilin u dënua me aq vite burg nga Gjykata italiane.

Ky lajm i klasifikuar si “konfidencial” vjen nga Italia në një klimë të vështirë për sa i përket këtij procesi të vështirë gjyqësor. Gjykata e Chiavari-t ka refuzuar të gjithë avokatët e të akuzuarit shqiptar. Mësohet se implikimet e të akuzuarit janë më tepër se 5 milionë euro të deklaruara.

Në këtë çështje janë të përfshirë të paktën 100 shqiptarë ku bëhet fjalë edhe për persona të ligjit, të cilët mësohet se kanë gisht në arratisjen e të akuzuarit. Një nga pikëpyetjet më të mëdha mbetet arsyeja e lirimit të Kecit pas akuzave të rënda. Gjykatësit janë në zi, dhe të gjithë dyshimet tashmë bien mbi ta”.

Artikulli është publikuar në janar të vitit 2016 nga “La Republica”.