Institucionet bankare dhe jo bankare, shoqëritë e kursim kreditit apo pikat e këmbimit valutor, janë të detyruara të gjurmojnë dhe raportojnë çdo transaksion të dyshimtë. Udhëzimi i Ministrisë së Financave, përcakton rregullat dhe procedurat që duhet të ndjekin këto subjekte, me qëllim parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Pavarësisht masave të vigjilencës së duhur që marrin edhe aktualisht, subjektet duhet të shkojnë përtej dhe janë të detyruara të krijojnë profilin e rrezikut të klientit  për të kuptuar qëllimin dhe natyrën e kryerjes së  transaksionit. Profili i rrezikut ju shërben subjekteve për të përcaktuar dhe zbatuar masat e vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar ndaj klientit.

Sipas udhëzimit, nëse subjektet janë të paafta që të zbatojnë detyrimet e vigjilencës së duhur ndaj klientit: nuk duhet të hapin llogari, të fillojnë një marrëdhënie biznesi apo të kryejnë transaksione dhe duhet të dërgojnë raport të aktivitetit të dyshimtë tek autoriteti përgjegjës.

Subjektet duhet të zbatojnë politika dhe të marrin masat e duhura, sipas rastit, për identifikimin  dhe vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që lidhen me zhvillimet e produkteve të reja, praktikat e  biznesit, mënyrat e ofrimit apo kanalet e shpërndarjes;  përdorimin e teknologjive të reja apo atyre që janë në zhvillim.

Nga ana tjetër, vigjilenca e zgjeruar duhet të përfshijë masa shtesë, përveç atyre të parashikuara për vigjilencën e  duhur, për marrëdhëniet e biznesit, klientëve apo transaksionet me rrezik të lartë.

Në këtë rast, subjektet duhet të kuptojnë dhe testojnë profilin e klientit, të  biznesit dhe veprimtarisë së tij lidhur me shërbimet, produktet dhe transaksionet e ofruara nga subjekti; të identifikojnë informacionet me rëndësi dhe  të vlerësojnë rrezikun e mundshëm për pastrim  parash/financim terrorizmi, në mbështetje të vendimeve që synojnë mbrojtjen nga rreziqet financiare, rregullatore apo reputacionale, si dhe përshtatjen ndaj kërkesave ligjore.

Udhëzimi përcakton se vigjilenca e zgjeruar zbatohet për disa kategori biznesesh, për persona të ekspozuar politikisht, për OJF-të, për marrëdhëniet e biznesit apo transaksionet që përfshijnë vendet me rrezik të lartë; për transaksionet komplekse, me vlera të larta të pazakonta, pa qëllim të dukshëm ekonomik dhe ligjor.

Subjektet i paraqesin një raport autoritetit  përgjegjës, në të cilin parashtrojnë dyshimet që kanë  për rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, është  kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i produkteve të  veprës penale apo financimi i terrorizmit, apo fonde  që rrjedhin nga veprimtari kriminale. Raportimi  bëhet me anë të formularit (RAD) menjëherë dhe jo  më vonë se 72 orë.  Po ashtu,  subjektet janë të detyruara të raportojnë transaksione me vlerë më të lartë se 1 milionë lekë, kryer si një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën brenda 24 orëve.