Kjo fundjavë e fundit e muajit prill do të jetë tipike pranverore, ku do të mbizotërojnë kthjellimet dhe intervalet e gjata me diell në të gjithë vendin.
“Një fundjavë e qëndrueshme. E shtuna dhe e diela nën ndikimin e një presioni të lartë atmosferik do të na sjellë intervale të gjata me kthjellime pothuajse në të gjithë territorin. Më të theksuara kthjellimet do të jenë përgjatë vijës bregdetare”, tha sinoptikanja, Lajda Porja.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, temperaturat do të rriten gradualisht si në vlerat minimale dhe ato maksimale.
“Temperaturat do të fillojnë duke u rritur. Në fakt, nuk është se presim ndonjë rritje drastike, por do kemi një rritje 2 gradësh gjatë ditës së shtunë dhe një tjetër rritje ditën e diel. Termometri në mëngjes do të ngjitet në 4°C-5°C dhe maksimumi 23°C presim të shtunën dhe 24°C ditën e diel”, tha Porja.
Sinoptikanët parashikojnë që edhe fillimi i javës tjetër dhe ditët e mbetura të muajit prill do të jenë të ngrohta dhe me diell.





