Pritshmëritë e operatorëve turistikë për këtë sezon veror janë të mira, pavarësisht konfliktit Ukrainë – Rusi.

Turistët e parë kanë nisur të vijnë në strukturat hoteliere të Durrësit, ndërkohë që volumi më të madh i pushuesve pritet të jetë nga vendet e rajonit. 

“Momentalisht ka shumë turistë që po vijnë në Durrës nga Evropa dhe Amerika, por janë udhëtime sporadike, jo të organizuara. Kryesisht në këtë sezon presim turistët nga vendet e rajonit”,- thotë Eduart Xhepa, nga Shoqata e Hoteleri – Turizmit.

Rritja e çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve pritet të reflektohet në ofertën turistike. Kreu i Dhomës së Tregtisë Alban Isteri deklaron se bizneset janë të detyruara të ndërmarrin këtë masë.

“Rritja e çmimeve në përgjithësi do të sjellë rritjen e çmimit të ofertës turistike, sepse bizneset që operojnë në këtë sektor nuk mund të punojnë me humbje”,- tha Isteri.

Ndërkohë, për kreun e shoqatës së Hoteleri-Turizmit, krizën e rritjes së çmimeve po e ndjejnë më së shumti ata operatorë që i kanë mbyllur kontratat muaj më parë, kur rritja e çmimeve nuk ishte kaq e ndjeshme.

“Në disa struktura turistike që kanë kontrata të mbyllura që në fillim të vitit, ata penalizohen, sepse rritet kosto dhe ato nuk i ndryshojnë dot çmimet për arsye se çdo kontratë ka dhe penalizimet e veta.”- tha Xhepa.

Pas dy viteve të vështira për shkak të tërmetit dhe pandemisë, sektori i turizmit në Durrës, që përbën dhe motorin ekonomik të qytetit, shpreson për një sezon të suksesshëm.

M.B.