Kjo e hënë që përkon edhe me ditën e parë të muajit tetor, do të shoqërohet me mot me kthjellime dhe vranësira të shpeshta në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas “Meteolab”, do të ketë mundësi për shira të dobëta në ekstremin Juglindor të vendit. Por, çfarë surprizash rezervon moti në vijim të muajit tetor?
Parashikimi i “Meteoalb” për motin në vijim:
E marta sjell shtim të vranësirave dhe shira të dobëta në Veri por mundësi për rrebeshe të përkohshme në Qendër – Jug; stuhitë dhe rrebeshet lokalizohen në hapësirat detare të Adriatikut – Jonit. E mërkura dhe e enjtja paraqiten me kthjellime dhe vranësira të herëpashershme ndërsa shirat mbeten në horizontin e fundjavës…..
Temperaturat vijojnë lehtësisht mbi vlerat tipike të vjeshtës si në mëngjes dhe mesditë thuajse gjatë gjithë javës ndërsa vlerat ekstremale do të luhaten nga 7°C më e ulëta gjatë orëve të para të ditës deri mbi 28°C, maksimumi në zonat e Ultësirës Perëndimore.
Përgjithësisht, muaji tetor do të sjellë periudha 6 – 7 ditore të ngrohta, të ndërprera këto me intervale 3-4 ditore me mot të ftohtë.





