Mësimi këtë vit shkollor 2020-2021 do të zhvillohet si kurrë më parë, në kushte të pazakonta, për shkak të pandemisë së koronavirusit që ka mbërthyer mbarë globin.
Nën një protokoll të rreptë rregullash, u vendos që mësimi të fillojë të hënën më 14 shtator në të gjitha shkollat e vendit, ku mësimi do të kryhet me turne dhe në ato klasa ku numri i nxënësve është i madh, do të bëhet ndarja e tyre.
Ky proces është edhe më i vështirë në qarkun e Durrësit, i cili është më i godituri nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kur si pasojë u dëmtuan rëndë edhe një pjesë e mirë e shkollave, të cilat janë shembur apo janë në proces shembjeje.
Por si do të shpërdahen nxënësit e shkollave të prishura dhe si do të kryhet ndarja e turneve…
Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, pasqyron për “DurrësLajm” gjendjen e shkollave për këtë fillim viti, nisur nga gjendja e godinave dhe numrit të nxënësve:
- 5 shkolla do të zhvillojnë mësim në një turn. Numri i nxënësve të këtyre shkollave është 1644. Në këto shkolla plotësohen kushtet për realizimin me orë të plota 45 minutëshe.
- 6 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 1918. Në mjediset e këtyre shkollave mësimi mund të realizohet i plotë, pasi ato nuk operojnë si shkolla pritëse të një IAP-je tjetër.
- 33 shkolla do të zhvillojnë mësim me dy turne. Numri i nxënësve në to është 16828. Këtu përfshihen të gjitha ato IAP ku godina përdoret prej dy shkollave njëkohësisht. Në këto kushte godinat përdoren me 2 turne paradite nga një shkollë, dhe 2 turne pasdite nga shkolla e dytë.
- 2 shkolla do të zhvillojnë mësim me tre turne për arsye të numrit të madh të nxënësve dhe kapacitetet e kufizuara të godinës. Numri i nxënësve në këto shkolla është 1099.
- 8 shkolla do të zhvillojnë mësim me 4 turne për arsyen e mësipërme. Numri i nxënësve 3735.
“Sigurisht që jemi përpjekur të shohim të gjitha mundësitë dhe të shfrytëzojmë të gjitha variantet/skenaret për të mundësuar nisjen e vitit shkollor për të gjithë fëmijët e rrethit Durrës. Pothuajse të gjitha godinat shkollore në qytetin e Durrësit do të presin nxënës të dy shkollave, por shpresojmë që pas muajit nëntor situata të përmirësohet pasi shpresojmë që të paktën 2 godina të reja, të cilat janë në ndërtim, të vihen në funksion. Këtu kam parasysh godinën e shkollës “Shaqe Mazreku” dhe atë të “Neim Babametos””, deklaron Matohiti për “DurrësLajm”.
Në total, në Durrës janë plot 24 624 nxënës që më 14 shtator ulen në bankat e shkollës me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë; 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 janë maturantë.
Ndërkohë, më poshtë, “DurrësLajm” publikon të plotë listën e shkollave që janë shembur apo janë në pritje për t’u shembur; si dhe listën e 33 shkollave pritëse ku do të transferohen nxënësit:
SHKOLLAT JOFUNKSIONALE
- 14 Nëntori
- Adem Gjeli Gjuricaj
- Armath
- Bedrie Bebeziqi
- Benardina Qerraxhi
- Dhosi Liperi
- Fshati Rinia
- Gjergj Kastrioti
- Hamallaj
- Hasan Koçi
- Ismet Nanushi Kullë
- Naim Frashëri
- Neim Babameto
- Njiazi Mastori
- Qemal Mici
- Rrashbull
- Shaqe Mazreku
- Xhelal Shtufi Shkafane
- Eftali Koçi
- Ishëm
- Olsi Lasko
SHKOLLAT FUNKSIONALE DHE PRITËSE
- Shkolla e Re
- Abedin Dino
- Armath
- Artan Zeka Qerret
- Bajram Curri
- Jusuf Puka
- Nënë Tereza
- Bishtkamëz
- Demokracia
- Manëz
- Dom Nikoll Kaçorri
- Fllakë
- Hajdar Dushi
- Hamza Muça Shkallnur
- Rrushkull
- Jan Kukuzeli
- Isuf Ferra
- Lalëz
- Jubë
- Jusuf Hoti
- Kuçok
- Kushtrimi i Lirisë
- Leonik Tomeo
- Marie Kaçulini
- Met Hasa
- Myslim Hida Arapaj
- Pren Simoni Draç
- Riza Shera Radë
- Romanat
- ShënVlash
- Vadardhë
- Vasil Ziu
- PLM
Me rinisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, iu drejtohet me një thirrje mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikmëri të masave që frenojnë përhapjen e Covid-19.
Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin, duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit SARS COV 2.
S.L.





